Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi reforma në Kombet e Bashkuara (OKB) me arsyetimin se ajo nuk pasqyron siç duhet botën shumëpolare.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të OKB-së, Scholz deklaroi se OKB-ja nuk duhet të kapet pas status quo-së dhe duhet të kthehet në sfidat e së ardhmes.
Duke deklaruar se çështjet e së ardhmes përfshijnë se si OKB-ja duhet të pasqyrojë realitetin e botës shumëpolare, Scholz tha: “Jam i kënaqur që gjithnjë e më shumë partnerë, duke përfshirë tre nga anëtarët e përhershëm, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ecur përpara drejt reformës”.
Scholz theksoi se Afrika, Azia dhe Amerika Latine duhet të fitojnë më shumë peshë në OKB: “Në fund të fundit, është në duart e Asamblesë së Përgjithshme të vendosë për reformën e Këshillit të Sigurimit”.
Duke thënë se Gjermania dëshiron të marrë përgjegjësinë për këtë çështje si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Scholz kërkoi që kandidatura e Gjermanisë të mbështetet për periudhën 2027-2028.
Kancelari Scholz deklaroi se në krahasim me 50 vjet më parë, sot në botë ka jo dy, por shumë qendra pushteti.
“Multipolariteti nuk është një rend i ri. Ata që mendojnë se vendet e vogla janë oborri i vendeve të mëdha, gabohen”, tha Scholz.
Ai theksoi se OKB-ja duhet të tregojë se nuk ka vend për “revizionizëm dhe imperializëm” në botën shumëpolare të shekullit të 21-të.
Duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë, Scholz deklaroi se jo vetëm ukrainasit vuajtën për shkak të luftës, por të gjithë njerëzit u prekën gjithashtu nga inflacioni, rritja e borxheve, uria dhe varfëria në rritje.
Kancelari gjerman tha se presidenti rus, Vladmir Putin, mund t’i japë fund kësaj lufte me një urdhër.
Duke mbështetur kërkimin e paqes, Scholz tha: “Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj zgjidhjeve false që kanë paqe vetëm në emër. Sepse paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqja pa drejtësi quhet diktaturë. Edhe Moska duhet ta kuptojë këtë. Të mos harrojmë se Rusia është përgjegjëse për këtë luftë”.
Duke kujtuar se lufta kundër ndryshimeve klimatike është ndër çështjet e së ardhmes, Scholz tha se vendet e industrializuara mbajnë përgjegjësi në luftën kundër krizës. /atsh