RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Emisari i OKB-së ‘i shqetësuar’ nga rrahja e palestinezëve nga forcat izraelite në Al-Aksa

emisari-i-okb-se-‘i-shqetesuar’-nga-rrahja-e-palestinezeve-nga-forcat-izraelite-ne-al-aksa

Koordinatori Special i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se është “i shqetësuar” nga rrahja e palestinezëve nga forcat izraelite në kompleksin e Mesxhid Al-Aksasë në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.

“Jam i tmerruar nga imazhet e dhunës brenda xhamisë al-Qibli. Jam i shqetësuar nga rrahja e dukshme e palestinezëve nga forcat izraelite të sigurisë dhe numri i madh i arrestimeve”, tha Wennesland në një deklaratë.

Ai gjithashtu kundërshtoi “me forcë akumulimin dhe përdorimin e fishekzjarreve dhe gurëve nga palestinezët brenda xhamisë”.

“Kjo periudhë e shenjtë dhe vendet e adhurimit duhet të jenë për reflektim fetar të sigurt dhe paqësor”, tha Wennesland, duke theksuar se rreth 600.000 njerëz kanë vizituar Vendet e Shenjta në Kuds që nga fillimi i Ramazanit.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve politikë, fetarë dhe të komunitetit nga të gjitha anët që të refuzojnë nxitjet, retorikën nxitëse dhe veprimet provokuese.

“Status quo-ja historike e Vendeve të Shenjta duhet të ruhet, në përputhje me rolin e veçantë të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë. Roli i Vakëfit është jetik dhe ai duhet të fuqizohet për të përmbushur detyrat e tij vendimtare”, tha ai.

Wennesland gjithashtu u bëri thirrje udhëheqësve nga të gjitha palët që të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga hapat që mund të përshkallëzojnë tensionet.

“Hedhja pa kriter e raketave nga Gaza është i papranueshëm dhe duhet të ndalet”, shtoi Wennesland. Ai tha se OKB-ja është në kontakt të ngushtë me të gjitha palët relevante për të ulur tensionet.

Tensionet u rritën në Bregun Perëndimor të pushtuar sot pasi policia izraelite arrestoi rreth 350 besimtarë nga brenda kompleksit të Xhamisë Al-Aksa.

Një grup palestinezësh formuan barrikadë brenda faltores Al-Kibli brenda kompleksit pasi kolonët hebrenj bënë thirrje për një bastisje në xhami. Ata u përpoqën të pengonin hyrjen e policisë duke mbyllur dyert e saj.

Duke rrethuar faltoren Al-Kibli, policia izraelite u ngjit në çatinë e xhamisë, theu disa nga xhamat dhe fillimisht ndërhyri me bomba zhurmuese kundër besimtarëve brenda. Disa nga personat në xhami u përpoqën t’i rezistojnë policisë duke hedhur fishekzjarre.

Related posts

Kosovë, 24 vjet nga Masakra e Reçakut që tronditi botën dhe nxiti reagimin ndërkombëtar

admin

Murati me propozim: Të falen 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit

admin

Pakistanezët e rajoneve të përmbytura, mbesin pa kulm mbi kokë

admin