RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pranohet aplikimi

kosova-ben-hapin-e-pare-drejt-anetaresimit-ne-keshillin-e-evropes,-pranohet-aplikimi

Kosova ka bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë me dije se Komiteti Ministror i Këshillit, me 2/3 të votave ka vendosur t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësimin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës”, shkroi ajo.

Postimi i plotë:

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë.

Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës.

Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë.

Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

Falënderim i posaçëm i takon grupit ndërinstitucional të përbërë nga Zyra e Presidentes, Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Zyra e Kryeministrit, dhe MPJD-ja, i cili udhëhiqet nga zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili udhëhiqet nga zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Saranda Bogujevci, ekipit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg, e cila udhëhiqet nga ambasadori Lulzim Hiseni si dhe të gjithë atyre që kontribuan sado pak për këtë ditë të rëndësishme.

Kur në maj të vitit të kaluar, pra para më pak se një viti, dorëzuam në Këshillin e Evropës kërkesën për anëtarësim, numri i skeptikëve ishte i madh. Sot e dimë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve.

Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurtë në rrugën e saj euroatlantike.

Ka edhe shumë punë për të bërë, shumë sfida për të përballuar, por dita e sotme meriton të festohet denjësisht.

Urime nga zemra të gjithëve.

Related posts

Ush’tria iz’raelite urdhëron evakuime të reja në pjesën qendrore dhe atë jugore të Rripit të Ga’zës

admin

Kurti në Prizren, me Totajn diskutojnë për projektin infrastrukturor Prizren – Tetovë

rezart morina

Aksioni i Doganës në mobil-shopet në Prishtinë, konfiskohen 84 telefona

rezart morina