Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), ka thënë se do të nisin analizën dhe vlerësimin bashkë me institucionet e sigurisë nëse platforma e TikTokut duhet të ndalohet në Kosovë.
Gjatë raportimit të AIP-it në Komisionin për Siguri të martën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ngriti çështjen e TikTokut pas analizave të disa shteteve se mund të ketë rrezik nga kjo platformë.
Sogojeva-Dermaku ka thënë se me të ngritur kjo çështje, ata do të nisin analizën e situatës bashkë me institucionet e sigurisë, por vendimi për ndalimin e TikTokut i takon Qeverisë.
“Ne si Agjenci jemi mbikëqyrës për zbatimin e ligjit të të dhënave personale. Në këndvështrimin e këtij ligji, Agjencia nuk mund të marrë ndonjë vendim për ndalimin e kësaj platforme. Kosova, në rast se do të vendoset pas një analize nga të gjitha institucionet e sigurisë në vend, duhet të ketë një vendim të Qeverisë apo të Kuvendit, në mënyrë që kjo platformë të ndalohet”, ka thënë ajo në emisionin “SOT” të KTV-së të mërkurën.
Ajo ka thënë se janë të vetëdijshëm se TikToku e mundëson marrjen e të dhënave personale. Sogojeva-Dermaku ka treguar se si Agjenci janë përballur me keqpërdorime të shumta nga kjo platformë.
“Jemi të vetëdijshëm se kjo platformë e mundëson marrjen e të dhënave personale, në këndvështrim të ligjit po flas. Por edhe ne si Agjenci jemi përballur me raste ku përmes kësaj platforme janë bërë shumë linçime, keqpërdorime të dhënave personale të qytetarëve deri në atë masë sa rasti ka përmbajtur edhe element të veprës penale dhe i kemi drejtuar te Policia”, ka deklaruar ajo.
Komisionerja e AIP-it ka thënë se pret që bashkërisht me institucionet e sigurisë të çojnë një propozim te organet e larta për ndalimin e mundshëm të TikTokut. Ajo ka bërë thirrje që të gjitha rrjetet sociale të përdoren me rezervë.
“Në këtë kohë të digjitalizimit, çdo publikim i të dhënave personale do të çojë deri te identifikimi e më pas te keqpërdorimi”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
TikToku e ka bazën në Kinë. Shumë shtete, përfshirë SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe, e kanë ndaluar këtë platformë nga telefonat e zyrtarëve publikë për shkak të frikës së sigurisë.