Megjithëse në samitin e G7-në Hiroshima po demonstrohet unitet, mbeten tema të debatueshme si marrëdhënia me Kinën dhe avionët luftarakë për Ukrainën. Presidenti Zelensky merr pjesë në samitin e G7-s
Japonia ndërkohë ka bërë të ditur pjesëmarrjen në samitin e G7-s edhe të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në konsultimet me fuqitë ekonomike lidere të botës. Zelensky zhvillon bisedime në samitin e G7-s-edhe me kryeministrin japonez, Fumio Kishida. Po ashtu është parashikuar edhe një takim me presidentin amerikan, Joe Biden.
Sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA, Jake Sullivan, presidenti amerikan gëzohet për takimin kokë më kokë me presidentin Zelensky. Bisedimet zhvillohen edhe për koalicionin ndërkombëtar të avionëve luftarakë për Ukrainën. Zelensky udhëton për herë të parë në Japoni që nga fillimi i luftës. Japonia e mbështet luftën mbrojtëse të Ukrainës, por për shkak të një kushtetute pacifiste nuk dërgon armë në vend.
Edhe nga samiti i dytë të G7-s pas fillimit të luftës në Ukrainë del një sinjal i qartë solidariteti me Ukrainën. Kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi të premten, se “ne kemi siguruar edhe një herë, që do t’i japim Ukrainës mbështetje për sa kohë të jetë e nevojshme – me mjete humanitare, me mjete financiare por edhe me furnizime me armë.” Ashtu si pritej, krerët e vendeve më të industrializuara bënë të ditur sanksione të reja kundër Rusisë.
Qëllimi është bllokimi i Rusisë në qasjen e teknologjive nga shtetet e G7-s që lidhen me industrinë e armatimit dhe shërbimet e ndryshme që mund të mbështesin makinerinë e luftës. Vendet e G7-s do të kufizojnë tregtinë me diamantet e papërnuar rusë. Rusia konsiderohet prodhuesi më i madh në botë. Nuk pritet harmoni në qëndrime në diskutimet për furnizimin me avionë luftarakë të Ukrainës mes presidentit Zelensky, që merr pjesë në samit dhe krerëve të G7-s.
Temë debati – Kina
Nuk është e sigurtë nëse atmosfera e ujdisë do të mbetet, kur të diskutohet tregtia me Kinën, SHBA dhe Europa kanë qëndrime të ndryshme. Kancelari Scholz u përpoq megjithatë të demonstronte unitet dhe bëri fjalë për ujdi të qartë: “Askush nuk kërkon shkëputjen e Kinës nga tregtia botërore.”
Për shkak të konkurrencës me shtetet autoritare, shtetet e 7 vendeve më të industrializuara të botës duan të forcojnë aftësinë rezistuese të ekonomive të tyre. “Bota përballet me një rritje shqetësuese të rasteve të shtrëngesave ekonomike, që synojnë të shfrytëzojnë dobësitë ekonomike dhe varësitë”, thuhet në një deklaratë të samitit të G7-s të publikuar të shtunën në samitin e krerëve të shteteve e qeverive në Hiroshima, Japoni. G7 paralajmëron për “pasoja” në rast të përdorimit të presionit ekonomik.
Vende si Kina nuk përmenden me emër, por përmendet se G7 do të mbrohet nga varësitë ekonomike që përdoren si armë. Për këtë nuk do të synohet vetëm më shumë pavarësi nga furnizimi me lëndë të para, por edhe në fushën e teknologjive të reja dhe në zhvillimin e tyre.
Teknologjitë e larta të vendeve të G7-s nuk do të përdoren për zhvillimin e aftësive ushtarake, që kërcënojnë paqen në botë. Vendet e G7-s do të marrin masa për të penguar përdorimin e mallrave duale, pra mallrat që janë për qëllime civile, por që mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake.
SHBA bënë të ditur në samitin e G7-s në Japoni një deklaratë të përbashkët të vendeve anëtare për një mënyrë veprimi të njësuar kundrejt Kinës.
Bëhet fjalë për zinxhirë më të pavarur furnizimi dhe për bashkëpunimin në disa sektorë të vendeve që janë shumë të varura nga Kina. Ujdia e parashikuar synon “mbrojtjen hap pas hapi të teknologjive sensibël si kontrollet e eksportit dhe masat për investimet e huaja”, bëri të ditur këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA, Jake Sullivan. /topchannel