Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se ka vendosur në listën e sanksioneve 500 shtetas të SHBA-së, përfshirë ish-presidentin amerikan Barack Obama, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga ministria thuhet se SHBA-ja ka zbatuar vazhdimisht sanksione kundër zyrtarëve dhe shtetasve rusë.
“Në përgjigje të kësaj është marrë vendim për të zbatuar sanksione ndaj 500 shtetasve amerikanë”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se ndaj emrave në fjalë është vendosur ndalesa e hyrjes së tyre në Rusi.
Po ashtu në deklaratë janë paraqitur edhe emrat e 500 personave të vendosur në listën e sanksioneve.
“Në listë përfshihen zyrtarë politikë, ish-presidenti Obama, anëtarë të Senatit dhe Kongresit, ekspertë dhe analistë që përhapin informacione të rreme rreth Rusisë si dhe drejtues të kompanive të mbrojtjes me arsyen se kanë dërguar armë në Ukrainë”, thuhet më tej.
Në deklaratën ku thuhet se asnjë hap “armiqësor” i ndërmarrë kundër Rusisë nuk do të mbesë pa përgjigje, rikujtohet se gazetarëve rusë nuk u janë dhënë viza amerikane për të ndjekur takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), në të cilën ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov mori pjesë më parë në New York.
Më tej bëhet e ditur se për këtë arsye është refuzuar kërkesa e Ambasadës së SHBA-së në Moskë për të vizituar gazetarin amerikan, i cili është arrestuar në Rusi me akuzën për spiunazh.