Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, zgjedhje të parakohshme e pjesëmarrje të serbëve në to dhe kthim në dialogun për normalizim raportesh.
Të hënën në mbrëmje, Lajçaku bashkë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, takuan kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në veri dhe bëjmë thirrje për shtensionim të menjëhershëm në terren, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në to dhe rikthimin në dialogun për normalizim”, ka shkruar Lajçaku të martën në mëngjes në Twitter.
Që nga 26 maji në tri komuna në veri të Kosovës ka pasur protesta nga serbët lokalë. Në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan është kundërshtuar hyrja e kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale. Pati protesta të dhunshme e pësuan dhjetëra policë e ushtarë të KFOR-it.
Serbët patën bojkotuar zgjedhjet e fundprillit. Në ato zgjedhje dolën më pak se 3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Për herë të parë, katër komuna në veri udhëhiqen nga shqiptarët.
Kosova është kritikuar për dërgimin e forcave policore për t’ua mundësuar kryetarëve ushtrimin e detyrës nga objektet komunale. SHBA-ja ka nisur me sanksionim e nga BE-ja janë publikuar tri kërkesa të qarta për Kosovën e Serbinë: Zgjedhje të parakohshme menjëherë, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.