RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosova ndalon hyrjen e veturave me targa të Serbisë

kosova-ndalon-hyrjen-e-veturave-me-targa-te-serbise

Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, ka marrë vendim që të ndalojë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Related posts

Në QPS çdo ditë raportohen raste të dhunës në shkolla

admin

Italia kërkon nga Izraeli të përcaktojë faktet dhe autorët e sulmit vdekjeprurës ndaj civilëve të kequshqyerjes në Gaza

admin

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Albin Kurti është politikan me përvojë dhe këmbëngulës

admin