RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqiptari që i duhet Shqipërisë: mesazhi monumental i një katoliku që i sheh muslimanët si vëllezër

shqiptari-qe-i-duhet-shqiperise:-mesazhi-monumental-i-nje-katoliku-qe-i-sheh-muslimanet-si-vellezer

Fjalë të një etike dhe edukate të lartë që përcjellin një shembull fantastik atdhedashurie

Në kohën kur pjesëtarë të komunitetit katolik po sulmojnë padenjësisht dhe padrejtësisht muslimanët në rrjete sociale, nxitur dhe nga një lëvizje e çartur dhe e dalë mendsh si e ajo Deçanit për rikthim në fenë e të parëve, një individ i këtij besimi, edhe pse jo figurë publike, po jep një shembull të shkëlqyer morali shoqëror. Quhet Besnik Nikoll Palnikaj, me origjinë nga Tropoja.

Një shënim i tij i në FB ngjan vërtet monumental. Me një ndjenjë të lartë atdhetarie, me fjalë që përçojnë një etikë dhe edukatë shembullore, ai përcjell jo vetëm mesazhin e respektit mes shqiptarësh me besim të ndryshëm, por dhe të një uniteti mes tyre që e kërkon vetë koha kur është fjala për atdheun e përbashkët ku na ka rënë të jetojmë.

Shkruan ai:

Një musliman shqiptar nuk asht domosdoshmërisht arab e as turk, sikurse një katolik shqiptar nuk asht as serb e as grek. Na mund të kemi besime të ndryshme, por kemi një gjuhë, një tokë, një histori e mbi të gjitha, një atdhe. Shumë gjaku u derdh për këtë tokë nga deshmor me besime të ndryshme.

Shumë muslimanë e katolikë nuk e kanë zgjedhë fenë e tyne; kanë lindë në familje të tilla, kanë trashëgue besimin e të parëve dhe e kanë ba pjesë të jetës së tyne.

E të gjithë e dijmë se ka vetëm një Zot, Krijuesin. Askush s’ka pse me mendue se e ka Zotin ma afër se tjetri, as me e përdorë fenë për me e nda shqiptarin prej shqiptarit. Nuk ban as me sha fenë e dikujt, as me shit mend me fenë tane si burrë ma i mir.

Sot, kur Shqipnia asht në mjerim, kur toka e saj ndodhet në pazar, kur prona e pasunia e shqiptarëve po shiten e po tjetërsohen, kur zjarret digjen e jo rrallë pas tyne shfaqen interesa për pallate e ndërtime, kur fshatrat tona janë mbushë me pleq e kanë mbetë me pak banorë, a kemi luksin me u përça për fe?

Jo, vllazën.

Sot na duhet me e pa njani-tjetrin si shqiptarë.

Na duhet me u bashkue për me i dhanë frymë e jetë këtij kombi. Për me mbrojtë tokën, familjen, gjuhën, historinë e të ardhmen e fëmijëve tanë.

Se Shqipnia nuk asht vetëm e katolikut.

Nuk asht vetëm e muslimanit.

Nuk asht vetëm e bektashiut.

Shqipnia asht e të gjithëve.

Katolikë e muslimanë jemi vllazën. Bektashinj e besime të tjera janë pjesë e së njëjtës shtëpi.

Kemi një nanë.

Që thirret Shqipni.

E sa të jemi gjallë, kjo tokë duhet me pasë shqiptarë mbi të, me besime të ndryshme, por me zemër shqiptare.

Mos ta lejojmë fenë me na nda.

Mos ta lejojmë politikën me na përça.

Mos ta shesim njeni-tjetrin për interesa të kota.

Tash asht koha me u bashkue.

Për Shqipninë.

Për trojet tona.

Për fëmijët tanë.

Për një Shqipni të re”.

Related posts

Reshjet e dendura dhe erërat e forta rëndojnë jetën e të zhvendosurve në Gaza

admin

Shqipëria në sytë e mediave ndërkombëtare

admin

Europol shkatërron kartelin ballkanik të drogës, sekuestrohen 2.7 ton kokainë në bordin e një anije

Muhamet Ramadani