RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan bën homazhe për ish-kryeministrin e ndjerë italian Berlusconi

erdogan-ben-homazhe-per-ish-kryeministrin-e-ndjere-italian-berlusconi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka nderuar të shtunën ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, i cili ndërroi jetë më 12 qershor në moshën 86-vjeçare, raporton Anadolu.

Në një artikull të botuar në të përditshmen italiane Il Messaggero, Erdoğan kujton se Berlusconi ishte i pari që e uroi atë pas fitores së zgjedhjeve të para të përgjithshme më 3 nëntor të vitit 2002.

Erdoğan tha se iu ndalua të merret me politikë për shkak të një kënge që recitoi dhe se e drejta e tij për t’u përfshirë në politikë iu mohua në mënyrë të paligjshme, duke shtuar se Berlusconi ishte lideri i parë botëror që e kundërshtoi këtë.

“Miku im Berlusconi më telefonoi dhe na uroi për fitoren e zgjedhjeve. Ai tha se ndalimi im ishte i papranueshëm dhe më ftoi në vendin e tij. U takuam në Romë dhe patëm diskutim gjithëpërfshirës për marrëdhëniet Turqi-Itali dhe çështjet e Bashkimit Evropian. Miku im Berlusconi tha: ‘Tani jeni në shtëpinë e mikut tuaj më të mirë në Evropë. Unë do t’i thërras miqtë e mi kryeministra në BE dhe do të veproj si avokati juaj’”, kujtoi Erdoğan.

Ai shtoi se Berlusconi gjithmonë e ka mbështetur Turqinë në procesin e anëtarësimit në BE. Erdoğan tha se kishte “marrëdhënie të frytshme, të sinqerta dhe miqësore” me Berlusconin gjatë mandateve të tij si kryeministër.

Presidenti turk tha se Berlusconi ishte një burrë shteti që e donte dhe respektonte popullin turk dhe i kushtonte rëndësi të madhe Turqisë.

“Besoj se Berlusconi, i cili dominoi politikën italiane për vite me radhë, la gjurmë të pashlyeshme pas tij. Kur dëgjova lajmin për vdekjen e mikut tim të dashur Silvio Berlusconi, me të cilin punuam për shumë vite, ndjeva një pikëllim të madh”, tha Erdoğan.

“Ai do të mbahet mend si një mik i vërtetë që la pas kujtime të bukura. Unë ndaj dhimbjen e familjes së z. Berlusconi nga thellësia e zemrës time dhe i përcjell ngushëllimet e mia popullit të Italisë në emër të vendit dhe kombit tim”, tha Erdoğan.

Berlusconi u trajtua për leukemi ndërsa me kalimin e viteve vuante nga problemet e zemrës dhe kanceri i prostatës.

Related posts

Maqedonci: Qasja e Serbisë nuk e frikëson Kosovën

RTI

Një person i ndalur dhe një armë e sekuestruar! Çfarë ndodhi në fushën e golfit të Trump? FBI nis hetim për tentativë vrasjeje ndaj ish-presidentit  

admin

Gjykata Speciale arreston Fahri Fazliun

admin