Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se përpara Samitit të NATO-s më 11-12 korrik, në Bruksel do të takohen ministrat e Jashtëm, krerët e shërbimeve inteligjente dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të Türkiye-s, Suedisë dhe Finlandës, raporton Anadolu.
Stoltenberg foli në një konferencë për media me rastin e stërvitjes “Griffin Storm 2023” në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius në të cilin do të mbahet Samiti i NATO-s.
“Siguria e NATO-s në Baltik do të forcohet nëse pas Finlandës bashkohet edhe Suedia”, deklaroi Stoltenberg i cili shtoi se vazhdojnë punimet për pjesëmarrjen e Suedisë në Aleancë.
“Dje bisedova me presidentin Erdoğan. Jam në kontakt të ngushtë edhe me qeveritë e Finlandës dhe Suedisë. Kemi rënë dakord që para samitit, në Bruksel të mbahet një takim i nivelit të lartë. Në këtë takim do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm, krerët e shërbimeve inteligjente dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare. Qëllimi është të sigurohet përparim në përfundimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk dha informacion lidhur me datën e takimit.
Së fundmi takimi i katërt i Mekanizmit të Përbashkët të Përhershëm, i krijuar në përputhje me marrëveshjen trepalëshe që përfshin delegacione të Türkiye-s, Suedisë, Finlandës dhe NATO-s, u mbajt në Ankara më 14 qershor.
Në takimin e zhvilluar në rezidencën presidenciale, nën pritjen e Kryekëshilltarit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, ambasadorit Akif Çağatay Kılıç, morën pjesë kreu i delegacionit të NATO-s, drejtori i Zyrës Private të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stian Jenssen, kreu i delegacionit suedez, sekretari shtetëror i Suedisë për punët e jashtme, Jan Knutsson dhe kreu i delegacionit finlandez, sekretari i përhershëm i shtetit për Ministrinë e Jashtme finlandeze, Jukka Salovaara.