Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i druhet se “lëvizjet e Albin Kurtit” mund të sjellin luftë në Kosovë.
Vuçiq në një intervistë për “TV Prva” ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dëshiron “t’i dëbojë serbët nga Kosova”.
“E keni të qartë se nuk ka as diskutime, as normalitet, e as nder. Kurti jeton për t’i dëbuar serbët nga vatrat e tyre. Unë pres një ofensivë të madhe në Ukrainë. Unë mendoj se ata kanë përgatitur dhjetëra brigade dhe do të thyejnë seriozisht vijat ruse, e do të ketë natyrisht shumë viktima. Pritet të ndryshojë rrjedha e luftës. Unë pres që kjo të fillojë, e pastaj do të shihni një ofensivë shtesë të Kurtit. Prandaj po kërkoj nga serbët të strehohen. Kam frikë se ky terror do të bëhet edhe më i keq e më i egër. Ai dëshiron t’i bashkojë gjitha vendet shqiptare”, tha Vuçiq, që ka shtuar se “do të bëjë çdo gjë për ta parandaluar luftën”. “Kam frikë nga lëvizjet krejtësisht irracionale të Albin Kurtit. Do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, por jo me çmimin e pogromit të popullit serb”.
Vuçiq është pyetur edhe për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, nga Qeveria e Kosovës. Këto dy organizata veprojnë në veri të Kosovës. Ai ka thënë se po t’i shpallte organizata terroriste ROSU-n e FSK-në, atëherë “Serbia do të sanksionohej menjëherë”.
“Nëse do të shpallnim terroriste ROSU-n e FSK-në, do të kishte sanksione të menjëhershëm ndaj Serbisë, e ata janë terroristë. Me çfarë akti kanë të drejtë të ekzistojnë ato, me çfarë akti po i armatosni? Po, sipas të drejtës sonë, kështu më thonë gjermanët dhe amerikanët, është e drejta e më të fortit. Çfarë të më thonë, kur nuk shkruan askund, as në tabelë. Aty ku shkruhet për aktet ndërkombëtare. Nuk shkruan askund, por po mund ta bëjnë atë”, tha Vuçiq.
Ai ka shtuar se i frikësohet se çfarë ndikimi do të ketë në Evropë rrjedha e luftës në Ukrainë.
Vuçiq ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”.
E ka quajtur ide “autoktonte të popujve të Ballkanit”, ndërsa ka thënë se “shpreson që së shpejti të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”.
Ai është pyetur për deklaratat e kryeministrit Rama dhënë “Euronews Albania”, që la të kuptohej fundin e “Ballkanit të Hapur”.
“Ballkani i hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer atë misionin për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit. sepse e kemi këtë mundësi. Kemi mundësi ta zotërojmë këtë proces. Kemi mbështetjen e madhe të kancelarit Scholz”, ka thënë Rama.