Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Hossein Amir Abdollahian, ka diskutuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare IRNA të Iranit, Abdollahian dhe Borrell në një bisedë telefonike vlerësuan çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Abdollahian u shpreh se Evropa duhet të luftojë në mënyrë serioze dhe efektive me çdo formë të islamofobisë dhe dënoi ashpër veprimet që janë kryer kundër vlerave islame dhe Kuranit në Suedi të cilat kanë shkaktuar lëndimin e ndjenjave të të gjithë muslimanëve në botë.
Duke folur për rëndësinë e vazhdimit të kanaleve të dialogut në përpjekjen për të arritur një qasje të përbashkët mes Iranit dhe BE-së, Abdollahian i cilësoi të sinqerta dhe konstruktive negociatat e fundit mes Iranit dhe palëve evropiane.
Borrell, nga ana e tij, ka mirëpritur negociatat dhe bashkëpunimin që vazhdon mes Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), si dhe e ka vlerësuar si të dobishëm dhe pozitiv vazhdimin e këtij bashkëpunimi.
Borrell u shpreh se fyerja ndaj Kuranit nuk pasqyron qëndrimin e BE-së dhe theksoi se “çdo veprim dhe fyerje kundrejt feve dënohet plotësisht nga BE-ja”.
“Vazhdimi i strukturës dhe Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, vazhdimi i negociatave konstruktive, normalizimi i marrëdhënieve mes Teheranit dhe Riadit janë të rëndësishme për BE-në”, theksoi Borrell.