RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

NATO: Turqia pranon t’ia përcjellë parlamentit ratifikimin e Suedisë

nato:-turqia-pranon-t’ia-percjelle-parlamentit-ratifikimin-e-suedise

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se Turqia ka rënë dakord ta dërgojë protokollin e anëtarësimit të Suedisë në NATO pas një takimi trepalësh, raporton Anadolu.

“Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Erdoğan ka rënë dakord sa më parë të përcjellë në Asamblenë e Madhe Kombëtare protokollin e aderimit për Suedinë dhe të punojë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin”, tha Stoltenberg në një konferencë për media në Vilnius, ku liderët e NATO-s janë mbledhur për një samit.

“Sot, Suedia gjithashtu ra dakord, si një anëtare e BE-së, të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të ringjallur procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE dhe gjithashtu të ndihmojë në modernizimin e unioneve doganore BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave”, theksoi Stoltenberg.

Ai theksoi se bashkëpunimi i Suedisë me Ankaranë në luftën kundër terrorizmit do të vazhdojë edhe përtej anëtarësimit dhe të dy vendet ranë dakord të krijojnë një marrëveshje të re dypalëshe të sigurisë.

Shefi i NATO-s shtoi se aleanca do të krijojë për herë të parë një post të koordinatorit special kundër-terrorizmit për të “rritur punën e saj në këtë fushë”.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, Suedia përsëriti se nuk do të mbështesë organizatat terroriste YPG/PYD, si dhe organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016 në Turqi.

Në takim gjithashtu u ra dakord të punohet drejt eliminimit të sanksioneve dhe heqjes së pengesave në tregtinë e mbrojtjes dhe investimeve midis aleatëve.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë turk tha se Turqia mori “mbështetje të plotë” për procesin e saj të pranimit në BE, duke përfshirë heqjen e sanksioneve dhe liberalizimin e vizave.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, konfirmoi se vendi i tij do të krijojë një dialog të ri dypalësh të sigurisë me Turqinë për bashkëpunim.

Vendimi i Turqisë për të mbështetur aplikimin e Suedisë në NATO u mirëprit gjithashtu nga krerët e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, tha se ai është i gatshëm të punojë me presidentin Erdoğan dhe Turqinë për “rritjen e mbrojtjes dhe parandalimit në zonën euro-atlantike”.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, e quajti vendimin e Turqisë për të përcjellë pranimin e Suedisë në NATO “një moment historik për NATO-n që na bën të gjithëve më të sigurt”.

Related posts

Arrihet armëpushim mes Izraelit dhe grupeve palestineze në Gaza

Muhamet Ramadani

Lutje për ndihmë globale pas pasojave katastrofike të përmbytjeve në Libi

Muhamet Ramadani

Franca përsërit angazhimin e saj për sigurinë e Izraelit

admin