RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vendet e Afrikës Perëndimore hartuan plan për ndërhyrje të mundshme ushtarake në Niger

vendet-e-afrikes-perendimore-hartuan-plan-per-nderhyrje-te-mundshme-ushtarake-ne-niger

Shefat e Mbrojtjes të vendeve të Afrikës Perëndimore kanë hartuar plan për ndërhyrje të mundshme ushtarake në Niger, në mënyrë që të rivendoset qeverisja demokratike në vend pas grushtit të shtetit, transmeton Anadolu.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) në një takim urgjent të dielën e kaluar në Nigeri pas grushtit të shtetit urdhëroi udhëheqësit ushtarakë të kthejnë presidentin e Nigerit, Mohamed Bazoum brenda shtatë ditëve ose “të marrin të gjitha masat”, duke përfshirë “përdorimin e forcës”, për të rivendosur rendin kushtetues në Niger.

Duke folur në fund të një takimi tre-ditor të shefave të mbrojtjes në kryeqytetin nigerian, Abuja, Abdel-Fatau Musah, komisioneri i ECOWAS-it për çështjet politike, paqen dhe sigurinë, tha se të gjitha modalitetet ishin përpunuar, megjithëse opsioni diplomatik mbeti i hapur.

“Ajo që është arritur këtu do t’u prezantohet shumë shpejt krerëve të shteteve të cilët do të thonë fjalën e fundit se çfarë do të bëjmë për situatën në Republikën e Nigerit”, tha Musah.

Në vitin 2017, ECOWAS-i përdori forcën ushtarake për të rivendosur rendin kushtetues në Gambia kur Yahya Jammeh refuzoi të dorëzonte pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve.

Musah u bëri thirrje të re udhëheqësve të grushtit të shtetit në Niger për t’i dhënë paqes një shans duke rivendosur menjëherë rendin kushtetues në vendin e tyre.

Nigeria, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Benini kanë vendosur të dërgojnë trupa në Niger nëse ECOWAS-i e mbështet vendimin.

Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Nigerisë, Ibrahim Kana tha se Nigeria mbetet e përkushtuar për rivendosjen e demokracisë në Niger, por e qasjen diplomatike e sheh si opsionin më të mirë.

Në Niger, presidenti Mohamed Bazum u arrestua më 26 korrik nga anëtarë të Gardës Presidenciale dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi se kishte marrë pushtetin.

Gjenerali Abdurrahman (Omar) Tchiani, komandant i Gardës Presidenciale, mori drejtimin e juntës së Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP) më 28 korrik dhe e shpalli veten kreun e qeverisë kalimtare.

Related posts

“Pashë trupa në tokë”- Sulm me thikë në një qendër tregtare në Sidnei, raportohet për viktima dhe të plagosur! Dëshmitë rrëqethëse: Një grua ra nga shkallët elektrike

admin

15 të vdekur në kampin e refugjatëve në Libanin jugor nga luftimet njëavore

rezart morina

Gjermania ndalon grupin neonazist “Artgemeinschaft”

rezart morina