Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka kërkuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që ta rikthejë një marrëveshje që i lejonte Ukrainës të eksportonte grurë dhe mallra të tjera nga tri porte të Detit të Zi, pavarësisht vazhdimit të luftës.
Erdogani ka theksuar se marrëveshja e grurit ishte çështja kryesore në bisedimet njëditore midis dy liderëve në vendpushimin rus të Detit të Zi, Soçi, ku presidenti rus ka një rezidencë.
Presidenti turk ka theksuar se ata janë të gatshëm të bëhen pjesë e bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Rusisë e Ukrainës për të gjetur një marrëveshje.
“Jemi të gatshëm po ashtu të bëjmë atë që është e nevojshme për të dërguar drithëra në disa vende të varfra afrikane. Turqia e Rusia janë pajtuar për këtë”, ka thënë Erdogani.
Ai ka shtuar se marrëveshja luan rol kyç në krizën globale të ushqimit duke shtuar se ajo vepron si një “tub frymëmarrjeje” për nevojtarët.
Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, ka theksuar se marrëveshja që lejonte Ukrainën të eksportonte grurë në mënyrë të sigurt përmes Detit të Zi nuk do të rikthehet derisa Perëndimi të përmbushë detyrimet e tij për të lehtësuar eksportet bujqësore ruse.
Ai ka treguar gjithashtu se Rusia është afër finalizimit të një marrëveshjeje për të ofruar grurë falas për gjashtë vende afrikane.
Presidenti rus, Putin, në muajin korrik ka refuzuar ta zgjasë marrëveshjen, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara një vit më parë dhe u pa si jetike për furnizimet globale të ushqimit, veçanërisht në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi.
Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera në të cilat mbështeten vendet në zhvillim.
Rusia e ndërpreu marrëveshjen duke u ankuar se një marrëveshje paralele që premtonte heqjen e pengesave ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave nuk ishte respektuar. /koha