RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Boshllëku që ka lënë Franca në Afrikë mund të plotësohet nga Turqia, Rusia dhe Kina”

“boshlleku-qe-ka-lene-franca-ne-afrike-mund-te-plotesohet-nga-turqia,-rusia-dhe-kina”

Lektorja e Departamentit për Studimet e Afrikës në Institutin e Studimeve Rajonale, të Universitetit të Shkencave Sociale të Ankarasë, Dr. Elem Eyrice Tepeciklioğlu, lidhur me shtimin e grushteve të shtetit në kohët e fundit në ish-kolonitë franceze në Afrikë, tha se “Vendet perëndimore nuk do të jenë fuqitë e huaja alternative për afrikanët, por vende si Rusia, Kina, India apo Turqia”.

Tepeciklioğlu në një prononcim për Anadolu foli për grushtet e shtetit të përjetuara njëri pas tjetrit në vendet ish-koloniale franceze të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore.

Ajo tërhoqi vëmendjen se me njoftimin më 30 gusht se një grup ushtarakësh morën qeverinë në Gabon, vendin e Afrikës Qendrore, serisë së grushteve të shtetit në vendet ish-koloniale franceze iu shtua një e re. “Në Gabon dhe në rajon ka një ndjenjë anti-franceze në rritje. Kritikohet qëndrimi i liderëve francezë që shikojnë nga lart. Pavarësisht kësaj, Franca është ende një prej partnerëve më të mëdhenj tregtare të Gabonit, një prej ish-kolonive të saj. Për këtë arsye është një nga vendet, prania dhe mungesa e të cilës tërheq shumë reagime në rajon”, tha Tepeciklioğlu.

Sipas saj, Rusia dëshiron të rrisë dominimin e saj në Afrikë në aspektin e burimeve natyrore dhe shitjes së armëve, por për shkak të luftës në Ukrainë prioritet i saj nuk është rajoni.

“Në Afrikë po formohet një boshllëk fuqie për shkak të rritjes së ndjenjës anti-franceze. Rusia ka dëshirë ta plotësojë këtë boshllëk por nuk është aktore shumë efektive në rajon. Përveçse ka qenë një nga vendet më aktive në kontinent gjatë Luftës së Ftohtë, është avantazh i madh që ajo nuk lidhet me kolonializmin. Por, ndërkohë që Rusia ka kompani private sigurie në rajon, ajo tani ka prioritete të tjera si kriza e Ukrainës. Për këtë arsye ajo duhet të transferojë shumicën e burimeve të saj atje”, shpjegon Tepeciklioğlu.

“Duhet të diversifikohen aktorët e politikës së jashtme në rajon”

“Kur shikohet se në Afrikë janë kryer grushte shteti njëra pas tjetrës dhe ndjenja anti-franceze është rritur, kuptohet se populli është në kërkim të lirisë dhe dëshiron të shpëtojë nga kolonializmi”, tha Tepeciklioğlu duke shtuar se:

“Në Afrikë mund të ketë aktorë të rëndësishëm në aspektin e politikës së jashtme, por nuk është mirë për vendet e rajonit që duan të qëndrojnë të varur ndaj tyre. Në shumë vende të Afrikës ka armë të Rusisë të mbetura nga periudha e Bashkimit Sovjetik. Kjo krijon marrëdhënie të varur mes Rusisë dhe vendeve të rajonit. Sepse bëhet fjalë për varësi ndaj Rusisë në çështjet si modernizimi i armëve, sigurimi i pjesëve rezervë dhe trajnimi i ushtrinë për të përdorur armët”, tha ajo.

Tepeciklioğlu nënvizoi se vendet perëndimore nuk do të shihen si fuqi të huaja alternative në vende si Gaboni, ku ndjenjat anti-franceze janë në rritje.

“Vendet perëndimore nuk do të jenë fuqitë e huaja alternative për afrikanët, por vende si Rusia, Kina, India apo Turqia. Falë kësaj, ish-kolonitë franceze do t’i tregojë Francës se nuk është opsioni i vetëm. Diversifikimi i partnerëve të tregtisë së jashtme është shumë i rëndësishëm në aspektin ekonomik. Franca ka nevojë për burimet natyrore të Afrikës, por nëse këto vende nuk i shesin burimet e tyre, ato do të jenë të detyruara të gjejnë alternativa të reja”, potencon Tepeciklioğlu.

Pasi iu referua pretendimeve se Franca po planifikon të forcohet sërish në rajon duke ndryshuar qeveritë në Afrikë, Tepeciklioğlu vlerëson se “Përpara grushtit të shtetit në Gabon më 30 gusht, dihet se ka patur mosmarrëveshje mes familjes në pushtet Bongo dhe Francës, por ende nuk ka prova se grushti i shtetit u mbështet nga ndonjë fuqi e jashtme. Duket sikur ushtria mori drejtimin sepse u krijuan kushtet e duhura”.

“Populli në Gabon mirëpriti me gëzim marrjen e qeverisë nga ushtria”

Tepeciklioğlu rikujton se në Gabon që nga viti 1967 në pushtet ndodhej familja Bongo dhe se në vend të Omar Bongo-s i cili ndërroi jetë në vitin 2009 pushteti kaloi te i biri i tij Ali Bongo. “Teksa ushtria kreu grushtin e shtetit, në rend dite erdhi se qeveria që ka qenë në pushtet për shumë vite nuk përfaqësonte më popullin dhe ishte një qeverisje e keqe e përfshirë në korrupsion dhe se në vend po përjetohet një pabarazi e të ardhurave. Këto kushte e bënë më të lehtë që ushtria të merrte qeverisjen”, tha Tepeciklioğlu.

“Zgjedhja për herë të tretë si president e Ali Bongo-s nuk u mirëprit nga populli”, tha Tepeciklioğlu duke shtuar se “Populli nuk i besonte qeverisë aktuale. Zgjedhja e Ali Bongo-s për herë të tretë si president u protestua dhe populli në Gabon mirëpriti me gëzim të madh marrjen e qeverisë nga ushtria”.

Pas Sudanit, Malit, Burkina Fasos dhe Nigerit, më 30 gusht në Gabon ushtria njoftoi marrjen e qeverisë pas zgjedhjeve të diskutueshme.

Ali Bongo Ondimba, fitoi për herë të tretë zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 26 gusht. Administrata ushtarake e emërtuar “Komiteti për Tranzicionin dhe Rivendosjen e Institucioneve” (CTRI) njoftoi anulimin e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 26 gusht si dhe mbylljen e kufijve të vendit.

Në krye të CTRI-së u vendos komandanti i Gardës së Republikës, gjenerali Brice Oligui Nguema.

Familja Bongo drejtonte Gabonin prej 56 vitesh.

Related posts

Qeveria i ndau 4 milionë euro, Sindikata e Minatorëve të Trepçës anulon protestën e paralajmëruar për të enjten

RTI

Pas 5 muajsh kaos, Kuvendi i Shqipërisë i kthehet normalitetit

RTI

Gjendet i vdekur një person në Gjilan, dyshohet se u hodh te penda e Livoçit

rezart morina