RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Operacion antidrogë në Shqipëri, arrestohen 233 persona

operacion-antidroge-ne-shqiperi,-arrestohen-233-persona

Policia e Shqipërisë ka realizuar një operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa qytete të vendit me angazhimin e 3.000 forcave policore, ndërkohë janë ndaluar dhe arrestuar 233 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 82 të tjerë, transmeton Anadolu.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat tha se gjatë këtij megaoperacioni janë identifikuar qindra shtetas që sipas tij nëpërmjet veprimtarisë së tyre kriminale, tentojnë të infektojnë shkollat në të gjithë vendin, duke shtuar se “për këtë arsye megaoperacioni i sotëm është vërtet një goditje e fortë kundër këtij fenomeni”.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm në vend, me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe me 12 drejtoritë vendore të Policisë, organizuan planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë dhe të vendimeve të kontrollit. Nga ky megaoperacion i zhvilluar në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, është bërë e mundur goditja dhe shkatërrimi i 23 grupeve kriminale që vepronin qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”, tha Rrumbullaku.

Ai u shpreh se operacioni i koduar “Tempulli”, është realizuar për goditjen e fenomenit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në lokale, bare, restorante dhe blloqe banimi, sipas tij nga grupe kriminale apo individë me precedent kriminal.

Rrumbullaku shtoi se gjatë tetë mujorit të këtij viti, nga strukturat vendore të policisë janë referuar 170 hetime proaktive për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Sipas policisë, gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis sativa, armë zjarri dhe armë të ftohta, automjete, celularë, vlera monetare dhe mjete të ndryshme që shërbenin për peshimin, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Gjatë deklaratës për mediat të Rrumbullakut, i pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i cili theksoi se ky operacion shënon vetëm fillimin e një rrugëtimi të ri në angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë “në luftën pa kompromis kundër prodhimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të çdo lloji në vendi”.

“Ministria e Brendshme, Qeveria shqiptare, është plotësisht e angazhuar për ta luftuar deri në qelizën e fundit, çdo rrjet shpërndarjeje, të madh a të vogël, të substancave narkotike në vend. Me një fokus të veçantë, krijimin dhe ruajtjen e perimetrit të sigurisë pranë shkollave”, u shpreh Balla.

Related posts

Rritje alarmante e sulmeve nga qentë endacakë, 112 raste të raportuara në pak kohë në Kosovë

admin

Arabi Saudite, në fushatën për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri u mblodhën 26 milionë dollarë

admin

Osmani në Zvicër takohet me presidentin e Malit të Zi, diskutojnë për rëndësinë e aleancave dhe koordinim mes dy shteteve

admin