RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përmbytjet në Derna: katastrofë natyrore apo neglizhencë e njeriut

permbytjet-ne-derna:-katastrofe-natyrore-apo-neglizhence-e-njeriut

Procesi për nxjerrjen e trupave nga brigjet e detit në Derna ka vazhduar teksa numri i të vdekurve është ngritur.

Sipas Kryqit të Kuq, më shumë se 11 mijë e 300 persona tani janë konfirmuar të vdekur pas stuhisë “Daniel” që goditi qytetin libian të dielën e javës së kaluar. Shkaku i stuhisë dy digat mbi qytet shpërthyen, duke formuar dallgën disa metra të lartë që shkatërroi gjithçka përpara.

Autoritetet në Derna kanë thënë se numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i madh – ndoshta 20 mijë – pasi nga dallga e madhe lagjet e qytetit i ka marrë deti.

Uji që ka goditur Dernan është përshkruar si cunami i madh nga të mbijetuarit.

Por teksa shumë njerëz, sidomos politikanët e Libisë, kanë tentuar të fshehin se çfarë ka ndodhur saktësisht, ekspertët kanë thënë se korrupsioni, keqmenaxhimi i infrastrukturës publike, vitet e konfliktit politik, me Libinë të ndarë mes dy qeverive rivale – ia kanë bërë të pamundur shtetit që ta përballojë stuhinë “Daniel”.

Dështimet e qeverisë që prej vitit 2011 janë shembulli i mungesës së investimeve publike në digat e Dernas, të cilat shpërthyen.

Autoritetet në Derna kanë thënë se digat nuk janë mirëmbajtur që prej vitit 2002. Kjo do të thotë se qeveritë e Libisë, prej asaj të diktatorit Muammar Gaddafi dhe qeverisë që erdhi pas revolucionit që rrëzoi atë nga pushteti në vitin 2011, nuk ishin brengosur për mirëmbajtjen e infrastrukturës së rëndësishme të qytetit.

Gjatë vitit të kaluar, studiuesit nga Universiteti Omar Al-Mukhtar kanë paralajmëruar se dy digat kishin nevojë urgjente për riparim për shkak të rrezikut të madh për përmbytje. Mirëpo qeveria nuk ndërmori asgjë.

Përmbytjet janë tragjedia më e re për Dernan – qytet me 90 mijë banorë, tradicionalisht i njohur si kryeqyteti kulturor i Libisë, para se grupi i ISIS-it ta merrte nën kontroll në vitin 2014 dhe një vit më vonë braktisën qytetin.

Tre vjet më vonë, gjenerali Khalifa Haftar mori kontrollin e Dernas – qyteti i vetëm që i kishte rezistuar – pas dy vjetësh rrethim.

Qyteti ishte bombarduar nga të gjitha anët.

Konflikti i vazhdueshëm ka lënë vragat e veta, autoritetet nuk kanë bërë asnjë investim në rindërtimin e madh të qytetit.

Në kërkim të më të dashurve

Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimin për të mbijetuar në qytetin e shkatërruar të Dernas. Ekipet ndërkombëtare i janë bashkuar përpjekjeve për kërkimin e të mbijetuarve dhe të vdekurve nën rrënojat e qytetit që është goditur nga përmbytjet të dielën e javës së kaluar. Mirëpo ka pasur kritika për reagimin e dobët të ekipeve. Për këtë shkak banorët kanë rrokur lopatat dhe mjete e tjera për t’i gjetur më të dashurit e tyre.

Në mesin e tyre është edhe ky libian që vetë ka bërë përpjekje t’i nxjerrë nga rrënojat familjarët. Thotë se nuk është ndihmuar nga askush, se nuk ka qeveri. Ai shton se familjarët janë nën rrënojat e shtëpisë qe pesë ditë.

Një zjarrfikës i qytetit ka thënë se për herë të parë në jetën e tij ka parë cunami. Qytet, sipas tij, uji ka arritur deri në 15 metra lartësi për më shumë se 50 minuta.

Ekipet e shpëtimit kanë dështuar të sjellin makinerinë e rëndë në qytet për shkak se nga përmbytjet janë shkatërruar urat që lidhin qytetin.

Digat që shpërthyen ishin ndërtuar në vitet ’70. Në një raport të ri thuhej se mes viteve 2012 dhe 2013 ishin ofruar 2 milionë euro për riparimin e tyre.

Mirëpo këtë e ka mohuar kryeministri i Libisë Lindore, Ossama Hamad. Ai ka fajësuar historinë.

“Të gjitha shtetet dhe qeveritë që luftojnë për Libinë, janë të interesuara vetëm për naftën dhe burimet tona natyrore. Komuniteti ndërkombëtar është i përqendruar në naftë dhe jo në bashkimin e Libisë”, ka thënë Ossama Hamad.

Qeveria tjetër në Tripoli ka pranuar lëshimet në mirëmbajtjen e digave dhe ka bërë thirrje për hetime urgjente në lidhje me shpërthimin e tyre. Katastrofa ka sjellë moment të rrallë uniteti në Libi. Agjencitë qeveritare janë bërë bashkë për t’i ndihmuar zonat e goditura nga përmbytjet.

Tmerri në sytë e të mbijetuarit

Një egjiptian u ka mbijetuar përmbytjeve në Derna të Libisë dhe ka rrëfyer për natën e tmerrit. Më shumë se 11 mijë persona kanë vdekur nga shpërthimi i dy digave pas shiut të madh që përfshiu qytetin libian të dielën dhe të hënën.

I mbijetuari Rashad Ezzat Abdel-Hamid ka rrëfyer se me shtatë persona të tjerë janë ngjitur në çatinë e ndërtesës trekatëshe kur uji në formë të murit përmbyti rrugët e qytetit.

“Jemi ngjitur në çati kur uji përmbyti katin e parë, pas një orë e gjysmë uji nisi të largohej. Filluam të vraponim në rrugë kur uji ishte një metër, kjo ishte krejt në fund. Gjetëm shtëpi të rrënuara mbi njerëz. Punëtorët egjiptianë e njohin njëri-tjetrin dhe e dinim ku jetonim. Kemi lënë njerëz nën rrënoja dhe vendosëm të shpëtonim njerëzit që mund t’i gjenim të gjallë, por në baltë gjetëm të vdekur. I kemi bartur ata në vendet më të larta”, ka thënë Abdel-Hamid.

Përmbytja ishte fatale për qindra njerëz në pak sekonda, duke rrënuar ndërtesa të tëra.

“Kemi vendosur diku 40 trupa në një vend, ndërkaq në xhaminë e lagjes Gubeira tubuam 20 trupa të tjerë. Po llogaris vetëm egjiptianë. Ndërkaq në lagjet libiane kemi tubuar trupa të fëmijëve, të rinjve, burra e grave. Kemi tubuar çfarë kemi mundur sepse nuk ka kombësi në këtë katastrofë. Katastrofa është kundër të gjithëve”, ka shtuar ai.

Numër më i madh i të vdekurve është në zonat urbane të qytetit. Abdel-Hamid ka thënë se shumë të vdekur janë detyruar t’i lënë prapa me qëllim që të shpëtojnë të mbijetuarit. “Kemi gjetur shtëpi me 30 trupa të vdekur, në një tjetër kanë qenë 12 të vdekur dhe dy të gjallë”, ka thënë ai. Abdel-Hamid është kthyer në Egjipt të enjten, për t’u bashkuar me familjen e tij. /koha

Related posts

Rritet në 14 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Turqinë juglindore

admin

Guterres i OKB: Duhet moral edhe për të shitur naftë dhe gaz

admin

Jordania mirëpret përkufizimin e Australisë për “territorin e pushtuar palestinez”

admin