Forcat izraelite kanë arrestuar 135 mijë palestinezë që nga Intifada (kryengritja) e Dytë, e cila filloi më 28 shtator 2000, transmeton Anadolu.
Komiteti i të Burgosurve i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) bëri një deklaratë me shkrim me rastin e Intifadës së Dytë, e njohur ndryshe edhe si Intifada Aksa, e cila u zhvillua 23 vjet më parë. Sipas deklaratës, forcat izraelite kanë arrestuar 135 mijë palestinezë, përfshirë 21 mijë fëmijë, që nga viti 2000.
Në mesin e të arrestuarve kishte qindra akademikë, gazetarë, punonjës të organizatave joqeveritare dhe organizatave ndërkombëtare dhe shumë ministra.
– 2.600 nga të arrestuarit janë gra
Në deklaratë thuhet se 2.600 nga të arrestuarit ishin gra dhe se 4 prej tyre kanë lindur foshnjat e tyre në burg në kushte të vështira dhe të kufizuara. Theksohet se Izraeli ka lëshuar 32 mijë “urdhër arreste administrative” gjatë kësaj periudhe dhe se ky numër ka patur rritje të ndjeshme.
Autoritetet izraelite kryejnë ekzekutime të ashpra përmes torturave, vrasjeve dhe neglizhencës mjekësore dhe thuhet se rastet e presioneve, ngacmimeve dhe nxitjeve raciste ndaj të arrestuarve janë shtuar vitet e fundit. 114 palestinezë humbën jetën në burgjet izraelite si pasojë e “torturave, vrasjeve të qëllimshme dhe neglizhencës mjekësore” në një periudhë 23-vjeçare.
Koordinatori special i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland deklaroi dje se Izraeli mban 1.264 palestinezë në paraburgim administrativ, që është numri më i lartë në 10 vitet e fundit.
– Intifada e dytë
Intifada e Dytë filloi kur kryeministri i atëhershëm izraelit, Ariel Sharon shëtiti rreth oborrit të xhamisë Al-Aksa nën mbrojtjen e ushtarëve izraelitë më 28 shtator 2000. Dhuna u përhap me shpejtësi në rajon pas përleshjeve mes palestinezëve dhe ushtarëve izraelitë, ku u vranë 7 persona dhe u plagosën 250 persona dhe 13 ushtarë izraelitë.
Gjatë Intifadës së Dytë, e cila zgjati 5 vjet, humbën jetën 4.412 palestinezë ndërsa u plagosën 48.322 palestinezë. Gjatë përleshjeve, 1.069 palestinezë humbën jetën ndërsa 4.500 izraelitë u plagosën. Gjatë Intifadës së Dytë, Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës dëshmuan pushtime nga ushtarët izraelitë, shkatërrimin e mijëra shtëpive dhe shkatërrimin e tokave bujqësore.
Intifada e Dytë përfundoi me marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis presidentit palestinez, Mahmud Abbas dhe Sharon në shkurt 2005.