Ushtria ekuadoriane ka sekuestruar pesë tonë drogë në një lloj nëndetëse, në brigjet e ishujve Galapagos njoftuan zyrtarët e ushtrisë.
Operacioni detar u bë në zonën që konsiderohet si trashëgimi natyrore kombëtare. Ushtria lokalizoi gjysmënëndetësen me 5 tonë substanca të dyshimta që do të kontrollohen, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Prej vendndodhjes së tij strategjike, Ekuadori është kthyer në një qendër logjistike të transportit të kokainës drejt SHBA, Evropës e Amerikës Qendrore, shkruan agjencia “AFP”.
Ekuadori, që gjendet mes dy prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë – Kolumbisë e Perusë, ka sekuestruar këtë vit 189 tonë drogë. Rekord kishte vendosur në vitin 2021, kur sekuestroi një total prej 210 tonëve.
Ishujt Galapagos gjenden 1 mijë kilometra larg brigjeve të Ekuadorit, por po përdoren si një korridor i kalimit të drogave madje së fundmi dhe armatimeve.
Javën e kaluar ushtria tha se kishte ndaluar një anije me 122 pushkë, 48 pistoleta e 124 njësi municionesh rreth 150 milje larg ishullit të San Cristobal.
Autoritetet thanë se kur njerëzit në bord pikasën ndjekjen e rojës bregdetare hodhën në det nëntë arkat me materiale, ku më pas u gjetën armatimet.
Presidenti i ri i vendit Daniel Noboa. i zgjedhur disa ditë më parë, ka si sfida kryesore bandat e lidhura me kartelet meksikane e kolumbiane të trafikut. /koha
VIDEO: Ecuador says about five tons of drugs seized from narco sub in Galapagos pic.twitter.com/PXyVEHYs32
— AFP News Agency (@AFP) November 26, 2023