Mediat izraelite kanë raportuar se qeveria e Tel Avivit ka propozuar “pauzë humanitare” të paktën një javë në këmbim të lirimit të 40 pengjeve nga Hamasi në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Siç raporton faqja e internetit “Walla News” në lajmin të cilin e bazon mbi zyrtarë izraelitë, thuhet se qeveria e Tel Avivit i ka përcjellë Katarit propozimin për arritjen e një marrëveshjeje të re për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin.
Tel Avivi i cili ka rekomanduar të paktën një javë “pauzë humanitare” në këmbim të lirimit të 40 pengjeve izraelite në Gaza, ka propozuar edhe lirimin e një pjese të pengjeve palestineze në burgjet izraelite në rast të arritjes së një dakordimi të ri.
Propozimin në fjalë e ka bërë të ditur shefi i Shërbimit të Inteligjencës së jashtme të Izraelit, David Barnea në takimin që zhvilloi në fillim të kësaj jave në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), William (Bill) Burns.
Në lajm nuk jepet informacion lidhur me përgjigjen e Hamasit ndaj këtij propozimi.
Në një deklaratë të bërë më parë nga Hamasi, ishte njoftuar se nuk do të hyjë në asnjë proces negocimi në lidhje me çështjen e shkëmbimit të pengjeve, nëse sulmet e Izraelit në Gaza nuk ndalen plotësisht.
Më 24 nëntor në Gaza u dha “pauzë humanitare” në kuadër të marrëveshjes 4 ditore për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, e cila u ndërmjetësua nga Katari dhe Egjipti. Kjo marrëveshje u zgjat edhe për 3 ditë të tjera dhe në kuadër të kësaj u liruan reciprokisht 81 pengje izraelite dhe 240 të burgosur palestinezë.