Një oficer i ushtrisë izraelite është zotuar se do ta kthejë gjithë Rripin e Gazës në rrënoja të ngjashme me situatën në qytetin verior Beit Hanoun, transmeton Anadolu.
“Izraeli pësoi një goditje të dhimbshme më 7 tetor. Ata sulmuan dinjitetin e popullit tonë”, u thotë ushtarëve të tij Yair Ben David, një komandant në Batalionin 2908, në një video të shpërndarë në platformat e mediave sociale.
“Batalioni 2908 hyri në Beit Hanoun dhe bëri atje siç bënë Shimon dhe Levi në Nablus”, ka thënë ai, duke iu referuar një historie biblike për vrasjen e të gjithë banorëve meshkuj të qytetit për një akt imoraliteti.
Të hënën, ushtria izraelite tha se Divizioni i saj i 252-të Rezervë ka përfunduar operacionet në Beit Hanoun, duke treguar se ushtria ka kontroll të fortë të zonës.
“Misioni nuk ka përfunduar ende; ne kemi akoma më shumë”, ka thënë Ben David.
“E gjithë Gaza duhet t’i ngjajë Beit Hanounit. Gaza duhet të duket si Beit Hanouni sot”, ka deklaruar ai.
Oficeri i ushtrisë ka shtuar se ushtria izraelite duhet t’u tregojë fqinjëve të saj se është gati për parandalim.
“A e dini pse? Sepse duhet të ketë frikë midis të gjitha kombeve rreth nesh, në qytetet e Libanit, në qytetet e Judesë dhe Samarisë (Bregu Perëndimor), dhe midis të gjithë atyre që ulen rreth nesh që mendojnë se është e mundur të cenohet dinjiteti i njerëzve të Izraelit”, ka thënë Ben David.
“Kemi përfunduar pjesën e parë, por ky është vetëm fillimi. Ne do të kthehemi, me ndihmën e Zotit”, ka theksuar oficeri izraelit.
“Nablusi në tërësinë e tij dhe çdo qytet që guxon të qëndrojë kundër Izraelit do të duket si Beit Hanouni dhe ne jemi gati për çdo mision”, ka shtuar ai.
Izraeli ka sulmuar ashpër Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, duke vrarë të paktën 19.667 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 52.586 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Masakra izraelite ka dëmtuar ose shkatërruar gjysmën e shtëpive në Gaza, ndërsa gati 2 milionë njerëz janë detyruar të zhvendosen brenda enklavës me popullsi të dendur, duke u përballur po ashtu me mungesë ushqimi dhe uji të pastër.
Gati 1.200 izraelitë thuhet se janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa më shumë se 130 pengje mbeten në robëri.
❝Gaza must look like Beit Hanoun today❞
Israeli army officer vows to turn entire Gaza Strip into rubble similar to situation in northern city of Beit Hanoun https://t.co/KUhX49iFSS pic.twitter.com/upt1bEpdSI
— Anadolu English (@anadoluagency) December 20, 2023