Përkeqësimi i kushteve në Birmani dhe në kampet fqinje të refugjatëve të Bangladeshit po i detyron shumë vajza rohingya të mitura në Malajzi për martesa me shkues, me burra rohingya, që shpesh i abuzojnë ato
Në një dhomë gjumi në Malajzi që është shndërruar në burg, vajza 14-vjeçare fshin lotët teksa ulet këmbëkryq në dyshemenë prej betoni. Është këtu, thotë ajo, ku burri i saj 35-vjeçar e përdhunon pothuajse çdo natë.
Vitin e kaluar vajza rohingya sakrifikoi veten për ta shpëtuar familjen e saj, duke nisur udhëtimin e tmerrshëm nga vendlindja e saj, Birmani, në një vend që nuk e kishte parë kurrë, për t’u martuar me burrin që nuk e kishte takuar kurrë.
Nuk ishte zgjedhja e saj. Asnjë nga këto nuk ishte. Jo vendimi për të lënë pas gjithçka dinte, as martesën me shkues për të cilën nuk ishte gati.
Nusja fëmijë, 16-vjeçare, thotë se një burrë i moshuar në Malajzi pagoi për trafikimin e saj me qëllim që të martohej me të
Mirëpo familja e saj, thotë ajo, ishte e varfër, e uritur dhe e tmerruar nga ushtria e Birmanisë, e cila shkaktoi një seri sulmesh gjithëpërfshirëse kundër pakicës myslimane rohingya të vendit në vitin 2017. Në dëshpërim, një fqinj gjeti një burrë në Malajzi që do të paguante 18 mijë ringgit, (3,800 dollarë) tarifë për kalimin e vajzës dhe – pasi ajo u martua me të – dërgoi para prindërve të saj dhe tre vëllezërve e motrave të vegjël për ushqim.
Dhe kështu, adoleshentja – e identifikuar së bashku me të gjitha vajzat në këtë histori nga iniciali i saj i parë për ta mbrojtur atë nga hakmarrja – përqafoi me lot prindërit e saj për lamtumirë. Më pas M hipi në makinën e një trafikanti të mbushur me fëmijë.
Ajo nuk i dinte ende tmerret që e prisnin. Ajo çfarë dinte atëherë ishte se pesha e mbijetesës së familjes së saj ishte mbi supet e saj të njoma.
Ajo ulet tani në dhomën e saj të gjumit në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, me trupin e saj të dobët të veshur me pizhame me arushë pelushi. Dhoma është pa mobile, muret e saj të bardha bosh të copëtuara dhe të njollosura. I varur nga tavani është një litar me nyja, i projektuar për të mbajtur një shtrat të varur për çdo foshnjë që e detyron burri i saj të lindë.
“Dua të kthehem në shtëpi, por nuk mundem”, thotë ajo me zëpak që nuk është më shumë se murmuritje. “Jam e bllokuar”.
Abuzimi nga burrat
Përkeqësimi i kushteve në Birmani dhe në kampet fqinje të refugjatëve të Bangladeshit po i detyron shumë vajza rohingya të mitura në Malajzi për martesa me mësit me burra rohingya që shpesh i abuzojnë ato, ka zbuluar Associated Press në intervistat me 12 nuse të reja rohingya që kanë mbërritur në Malajzi që nga viti 2022. Më e reja ishte 13 vjeçe.
Të gjitha vajzat e intervistuara nga AP-ja kanë rrëfyer se mbahen peng nga burrat kontrollues të cilët rrallë i lënë të dalin jashtë. Disa thonë se ishin rrahur dhe përdhunuar nga trafikantë dhe burra të tjerë gjatë udhëtimit për në Malajzi, dhe pesë thonë se ishin abuzuar nga burrat e tyre. Gjysma e vajzave janë shtatzënë ose tashmë kanë fëmijë, pavarësisht se shumica thonë se nuk ishin të përgatitura për mëmësinë.
Kur u pyetën nëse kishin protestuar ndaj vendimeve të prindërve për t’i martuar, ato qëndronin të hutuara.
“Kjo ishte mënyra ime e vetme për të ikur”, thotë 16-vjeçarja F, ende e përhumbur nga kujtimet e saj për Birmaninë, ku në vitin 2017 ajo pa teksa ushtarët i digjnin shtëpinë, përdhunonin fqinjët dhe qëlluan për vdekje tezen e saj. Në vitet që pasuan, aq të shpeshta ishin të shtënat e ushtarëve gjatë natës, saqë tmerrohej edhe nga zhurma kur shokët e shoqet e saj shpërthenin ndonjë tullumbace. “Nuk isha gati të martohesha, por nuk kisha zgjidhje”.
Tani e izoluar nga bashkëshorti 27-vjeçar, dëshiron liri që ajo dhe njerëzit e saj nuk e kanë përjetuar kurrë. “Rohingyat nuk kanë ku të jenë të lumtura”, është shprehur ajo.
Këto martesa të padëshiruara janë mizoria më e fundit që u është bërë vajzave rohingya: nga fëmijëria e trazuar nga dhuna e deri te sulmet ku forcat e sigurisë i përdhunuan ato në mënyrë sistematike deri në vite urie në kampet e mjera të refugjatëve të Bangladeshit.
Apatia globale ndaj krizës rohingya dhe politikat strikte të migracionit i kanë lënë këto vajza pothuajse pa asnjë mundësi. Ushtria që sulmoi rohingyan përmbysi qeverinë e Birmanisë në vitin 2021, duke e bërë çdo kthim në shtëpi një propozim kërcënues për jetën. Bangladeshi ka refuzuar t’i japë nënshtetësinë apo edhe të drejtat elementare të punës për miliona rohingyaa pa shtetësi që shpërndahen në kampet e tij. Dhe asnjë vend nuk po ofron ndonjë mundësi risistemimi në shkallë të gjerë.
Trafikimi i vajzave
Dhe kështu rohingyat po ikin gjithnjë e më shumë – dhe ata që po ikin janë gjithnjë e më shumë femra. Gjatë krizës së anijeve në Detin Andaman të vitit 2015, në të cilën mijëra refugjatë rohingya u bllokuan në det, shumica dërrmuese e pasagjerëve ishin burra. Këtë vit, më shumë se 60% e rohingyave që i kanë mbijetuar kalimit në Andaman kanë qenë gra dhe fëmijë, sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara.
Në Bangladesh, “Save the Children” thotë se martesa e fëmijëve është një nga shqetësimet më të raportuara të agjencisë në mesin e banorëve të kampit.
“Ne po shohim një rritje të rasteve të trafikimit të fëmijëve”, ka theksuar Shaheen Chughtai, drejtor i Avokimit Rajonal të Fëmijëve dhe Fushata për Azinë. “Vajzat janë më të ndjeshme ndaj kësaj dukurie dhe shpesh kjo lidhet me martesën në territore të ndryshme”.
Për shkak se këto vajza jetojnë në skajet e kufirit, statistika të sakta se sa jetojnë në Malajzi nuk ekzistojnë. Por avokatët vendas që punojnë me vajzat thonë se ata kanë parë më shumë vajza të reja gjatë dy vjetëve të fundit.
“Ka vërtet shumë rohingya që vijnë për t’u martuar”, tregon Nasha Nik, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit për Zhvillimin e Grave Rohingya, e cila ka punuar me qindra nuse fëmijë qëkur u themelua në vitin 2016.
Brenda zyrës së vogël të organizatës në Kuala Lumpur, ka lodra për foshnjat e vajzave, libra e broshura edukative për dhunën me bazë gjinore dhe një sërë makinash qepëse ku gratë dhe vajzat mësojnë të bëjnë bizhuteri dhe zanate të tjera që të shesin për ta ndihmuar veten.
“Nuk ka hapësira të tjera të sigurta për gratë rohingya në Malajzi”, thekson Nasha. “Dhuna në familje është shumë e lartë”.
Malajzia nuk është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, kështu që vajzat – shumica e të cilave janë pa dokumente – konsiderohen si emigrantë të paligjshëm. Prandaj, raportimi i sulmeve të tyre tek autoritetet do t’i rrezikonte ata të hidheshin në një nga qendrat e paraburgimit të Malajzisë, të cilat prej kohësh janë rrënuar nga raportet e abuzimit.
Për ta kuptuar pse një prind do ta dërgonte fëmijën e tyre në këtë ferr, duhet të kuptoni ferrin nga erdhën.
Nusja rohingya, 13-vjeçare, thotë se pa trafikantin duke përdhunuar gjashtë vajza të tjera. Tani është në Malajzi. Burri i saj e detyron të kryejë marrëdhënie
Fundosja e varkës
Jashtë strehës së saj me bambu dhe tarp në një nga kampet e Bangladeshit, të qarat e Hasina Begumit gëlltitin fjalët e saj ndërsa ajo flet për vajzën e saj.
Begum e pa për herë të fundit 16-vjeçaren Parvin Akter në vitin 2022, kur ajo e dërgoi atë dhe vëllain e Parvinit, Azizul Hoque, në një varkë që nisej për në Indonezi. Begum shpresonte se Parvini do të arrinte në Malajzi për t’u martuar me një burrë që mund ta mbështeste atë. Por një hetim i AP-së arriti në përfundimin se anija u fundos me të gjithë 180 personat në bord.
Burri i Begumit e braktisi familjen vite më parë, duke e lënë atë të kujdesej për gjashtë fëmijët e tyre. Racionet e ushqimit nuk ishin të mjaftueshme për t’i mbajtur ata dhe Begum nuk mund të përballonte pajën tradicionale që prindërit e nuseve rohingya pritet t’i paguajnë dhëndrit në kampe, zakonisht mijëra dollarë. Dhëndrit në Malajzi nuk marrin pajën dhe shpesh u dërgojnë para prindërve të nuseve.
Ndërkohë, bandat lokale terrorizuan familjen e Begumit, një herë duke rrëmbyer Azizulin dhe duke e mbajtur atë derisa Begum huazoi 50 mijë taka (450 dollarë) për shpërblimin.
Kjo është arsyeja pse Begum thotë se e dërgoi vajzën dhe djalin e saj në Malajzi – në mënyrë që ata dhe pjesa tjetër e familjes së saj të mund të mbijetonin. Edhe tani, një tjetër varkë që transportonte refugjatë rohingya është zhdukur në det prej javësh, me gjasë me vajza të tjera që mund të mos ia dalin kurrë.
Begum tani ulet mes mjerimit dhe baltës së kampeve, teksa era e keqe nga një tualet aty pranë përhapet, duke uruar që ajo të mund të dëgjonte fëmijët e saj ta thërrisnin “nënë” edhe një herë. Ajo nxjerr një foto të tyre në telefonin e saj dhe më pas e shtyp në gjoksin e saj. “Të jesh rohingya”, thotë ajo, “do të thotë të vuash”.
Përktheu: Blerta Haxhiu /koha