Ministri portugez i Punëve të Jashtme, Joao Gomes Cravinho, ka shprehur “shqetësim të thellë” për situatën humanitare në Rripin e Gazës, si dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjit ndërkombëtar duke i kërkuar Izraelit të “bëjë gjithçka” që i është kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Duke folur për Anadolu në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Cravinho gjithashtu shprehu mbështetje për rritjen e qasjes së palestinezëve në ndihma humanitare pas bllokadave dhe kufizimeve nga Izraeli.
“Për këtë kemi nevojë për një armëpushim, nuk kemi nevojë për më shumë operacione ushtarake. Pra, kërkesa jonë është që të mos ketë më operacione ushtarake, një armëpushim dhe më shumë qasje humanitare”, tha Cravinho.
I pyetur lidhur me qëndrimin e Portugalisë rreth vazhdimit të mbështetjes së agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Cravinho përmendi hetimin në vazhdim për punonjësit që dyshohet se ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Duke theksuar se akuzat kanë të bëjnë vetëm me 10 ose 12 punonjës nga mijëra, Cravinho tha se nëse është kështu “ata duhej të ndahen, ata duhej të japin dorëheqje dhe ata e bënë”.
“Jemi të kënaqur që 10 apo 12 persona… kur një institucion punëson 13 mijë persona nuk do të thotë se duhet të pezullosh mbështetjen për institucionin”, tha ai.
Më tej, shefi i diplomacisë portugeze tha se pezullimi i mbështetjes për agjencinë do të penalizojë palestinezët në Gaza, të cilët kanë nevojë të dëshpëruar për ndihmë.
“Pra, ne mendojmë se është krejtësisht e gabuar, mendojmë se është një ide e tmerrshme të ndalosh financimin e UNRWA-së për shkak të këtij problemi. Zbuloni natyrën e problemit, zgjidhni problemin, por vazhdoni të mbështetni UNRWA-në”, tha Cravinho.
Izraeli pretendon se 12 anëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau rreth 1.200 njerëz.
Disa vende, përfshirë SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Zvicra, Italia dhe Kanadaja, kanë pezulluar fondet për UNRWA-në pas akuzave izraelite, të cilat aktualisht janë duke u hetuar.
Rekomandimet e gjykatave “duhet ndjekur”
Për çështjen e gjenocidit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ministri portugez tha se e ligji ndërkombëtar është një shtyllë themelore e rendit ndërkombëtar.
“Pra, ne jemi shumë mbështetës për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe për të gjitha gjykatat e mëdha ndërkombëtare”, theksoi ai, duke shtuar se indikacionet, rekomandimet dhe përfundimet e gjykatës së OKB-së “duhet ndjekur”.
Duke theksuar se më 26 janar Izraelit iu kërkua të jap një raport brenda 30 ditëve se çfarë po bën për të zbatuar rekomandimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Cravinho theksoi se Portugalia do ta ndjekë këtë nga afër.
“Ne do ta shohim shumë nga afër rezultatin e kësaj dhe besojmë se Izraeli duhet të bëjë gjithçka që i është kërkuar nga gjykata”, tha ai.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë mbi 28 mijë palestinezë, si dhe duke shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.