Në Bruksel ka nisur takimi në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së për bisedime, Mirosllav Lajçak.
Pas përfundimit të këtij takimi emisari i BE-së, pritet që të zhvillojë takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa nuk dihet ende se a do të këtë takim të përbashkët.
Javën që shkoi Bashkimi Evropian bëri të ditur se temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.
Për takimin ka folur të premten edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.
Ai në një konferencë për media tha se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë në Bruksel, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, si dhe për vazhduar diskutimet për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit.
“Do të ketë disa çështje në agjendën e ardhshme, të martën e ardhshme dhe natyrisht, në përgjithësi implementimi i së ashtuquajturës marrëveshje e Ohrit është çështja më e rëndësishme, natyrisht aspektet individuale të kësaj çështjeje do të preket po ashtu nga palët dhe nga facilituesi (BE)”, ka thënë Stano.
Ndryshe, prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.