Pavarësisht kufizimeve dhe pengesave të shkaktuara nga Izraeli, 45 mijë muslimanë palestinezë dhe të huaj falën namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa, raporton Anadolu.
Edhe këtë javë Izraeli vendosi sërish kufizime ndaj palestinezëve që dëshironin të falnin namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa që ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim.
Që në orët e mëngjesit policia izraelite u vendos në shumë pika të Kudsit Lindor për të kufizuar hyrjen e palestinezëve në Al-Aksa. Forcat izraelite vendosën barriera hekuri në hyrjet në zonën e Qytetit të Vjetër të Kudsit Lindor dhe penguan hyrjen e disa palestinezëve në Al-Aksa duke bërë kontrolle të kartave të identitetit.
Policia izraelite ngriti pika kontrolli edhe në dyert e jashtme të Al-Aksës. Të rinjtë palestinezë që nuk u lejuan të hynë në Al-Aksa e falën namazin e xhumasë përballë portës Al-Asbat.
Sipas një deklarate me shkrim nga Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit, në Al-Aksa namazin e xhumasë e falën 45 mijë persona.
– Kolonët e paligjshëm hebrenj tentuan të hyjnë në Al-Aksa
Një kolon i paligjshëm hebre i cili mbërriti në Portën Al-Asbat në orët kur u afrua namazi i xhumasë, u përpoq të hynte në Xhaminë Al-Aksa duke kapërcyer barrierat e policisë.
Një përleshje u shënua ndërsa policia izraelite po përpiqej të parandalonte kolonin fanatik hebre. Policia izraelite arriti të rrethojë kolonin hebre në zonën ku ndodhen barrierat e hekurit dhe më pas e largoi personin i cili ra pa ndjenja.
Policia izraelite prej 29 javësh që nga 7 tetori 2023 kur filluan sulmet ndaj Rripit të Gazës, zbaton kufizime serioze që pengojnë faljen e namazit të dhjetëra mijëra personave në Al-Aksa.