Personeli ushtarak rus ka hyrë në një bazë ajrore në Nigeri ku janë të stacionuar trupat amerikane, pas vendimit të juntës së Nigerisë për të dëbuar forcat amerikane nga vendi.
Oficerët ushtarakë në Afrikën Perëndimore kanë kërkuar nga SHBA-ja që të tërheqë rreth 1,000 trupa ushtarak, edhe pse deri në një grusht shteti vitin e kaluar nigerianët ishin partner kyç në luftën e Uashingtonit kundër kryengritësve xhihadistë që kanë vrarë mijëra njerëz.
Në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane njoftoi se forcat ruse nuk po përzihen me ato amerikane, por po përdorin një hangar të veçantë në bazën ajrore 101, ngjitur me aeroportin ndërkombëtar Diori Hamani në Niamey.
Siç raportohet, lëvizja e rusëve i rrit tensionet mes të dy ushtrive në një kohë kur rivaliteti ushtarak dhe diplomatik është gjithnjë e më i ashpër për shkak të luftës në Ukrainë.
Bëhet e ditur se ambasadat e Nigerisë dhe ato ruse në Uashington nuk kanë pranuar të komentojnë në lidhje me zhvillimin, shkruan The Guardian.
Ndryshe, SHBA-ja dhe aleatët e saj janë detyruar të zhvendosin trupat nga disa vende afrikane pas grusht shtetit që sollën në pushtet grupe të etura për t’u distancuar nga qeveritë perëndimore.
Përveç Nigerisë, trupat amerikane janë larguar edhe nga Çadi, ndërsa forcat franceze janë larguar nga Mali dhe Burkina Faso.
Kjo gjendje po shfrytëzohet nga Rusia e cila po kërkon të forcojë marrëdhëniet me vendet afrikane.
Por, kërkesa e nigerianëve për largimin e trupave amerikane, ngre shqetësime në Uashington për përhapjen e forcave ruse.
Deri më tash nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e trupave amerikane në Nigeri. /Telegrafi/
The post Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë first appeared on Radio Televizioni Iliria.