RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Lituanezët zgjedhin presidentin e ri midis shqetësimeve për Rusinë dhe luftën në Ukrainë

lituanezet-zgjedhin-presidentin-e-ri-midis-shqetesimeve-per-rusine-dhe-luften-ne-ukraine

Lituanezët dolën për të votuar të dielën në zgjedhjet presidenciale, në një kohë kur Rusia po çan përpara në fushëbetejë në Ukrainë, duke nxitur frikë të madhe për qëllimet e Moskës, posaçërisht në rajonin Baltik.

Presidenti i tanishëm, Gitanas Nauseda, është favorit për ta fituar një mandat tjetër pesëvjeçar. Por, tetë kandidatë garojnë në përgjithësi, dhe kjo e bën të vështirë për të dhe kandidatët e tjerë të fitojnë mbi 50 për qind të votave të dielën. Në këtë rast, një balotazh do të mbahej më 26 maj.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Rezultati pritet të bëhet i ditur të dielën vonë në mbrëmje.

Detyrat kryesore të presidentin në sistemin politik të Lituanisë janë mbikëqyrja e politikave të jashtme dhe të sigurisë. Presidenti është gjithashtu edhe komandant i Forcave të Armatosura të vendit.

Këto detyra ia rrisin rëndësinë pozitës së presidentit në një vend relativisht të vogël, duke qenë se Lituania ndodhet në krahun strategjik lindor të NATO-s. Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Shqetësimet janë shumë të mëdha në Lituani, si dhe në vendet fqinje Letoni dhe Estoni, për shkak të përparimit që kanë bërë trupat ruse së fundmi në fushëbetejë në verilindje të Ukrainës.

Këto vende baltike e shpallën pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe morën rrugën drejt Perëndimit, duke iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Për herë të parë, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), e hodhi poshtë ftesën e Lituanisë për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Qeveria lituaneze kërkoi që vëzhguesit nga Rusia dhe Bjellorusia të përjashtoheshin, duke i akuzuar të dyja vendet – të cilat janë anëtare të OSBE-së – se po i kërcënojnë proceset e saj politike dhe zgjedhore.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut tha se Lituania po i shkel rregullat të cilat i nënshkroi kur iu bashkua kësaj organizate.

Ajo tha se vëzhguesit nuk i përfaqësojnë qeveritë e vendeve të tyre, dhe se ata duhet patjetër ta nënshkruajnë një kod të sjelljes duke u zotuar për neutralitet politik dhe, nëse i shkelin rregullat, ata nuk lejohen ta kryejnë më punën e vëzhguesit. /rel

Related posts

Ka ndërruar jetë imami i fshatit Bushtran, Fikret ef. Limani

rezart morina

Borrell u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialog

admin

“Nga 43 mijë të zhvendosurit në Libi, parashikohet se të paktën 17 mijë prej tyre janë fëmijë”

admin