Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke komentuar takimin e së mërkurës midis kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq tha se nuk pret diçka të rëndësishme dhe esenciale nga ky takim.
Në një prononcim për rtv21 Konjufca tha se nuk në rend të ditës për Republikën e Kosovës nuk është çështja e Asociacionit, por zbatimi i marrëveshjes bazë nga Serbia.
“Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale. Nuk pres nga Serbia që ajo do ta zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”, tha Konjufca.
Ndryshe të mërkurën në dialog do të kthehen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Ende Bashkimi Evropian nuk e ka zbardhur agjendën e takimit, por zbatimi i gjithë marrëveshjes bazike pritet të jetë në qendër të këtij takimi, që zhvillohet pas disa muajsh bllokadë.
Takimi i nivelit të lartë do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe i dërguari special evropian për dialogun Miroslav Lajcak. Ky i fundit gjatë vizitës në Prishtinë tha se duhet të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.