RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kina kërkon unitet përballë ndikimit të jashtëm në çështjet e brendshme të vendeve anëtare në SCO

kina-kerkon-unitet-perballe-ndikimit-te-jashtem-ne-ceshtjet-e-brendshme-te-vendeve-anetare-ne-sco

Presidenti i Kinës, Xi Jinping u bëri thirrje vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), të “konsolidojnë unitetin” kundër ndërhyrjeve në punët e brendshme nga forcat e huaja, transmeton Anadolu.

“Njerëzia ndodhet para një udhëkryqi tjetër. Është thelbësore për botën që SCO të qëndrojë në anën e duhur të historisë dhe në anën e drejtësisë”, tha Xi gjatë Këshillit të krerëve të shteteve në samitin e SCO-së në Astana, Kazakistan.

“Transformimi i paparë në një shekull po shpaloset me një ritëm më të shpejtë. Përballë sfidave reale nga forcat e jashtme për të ndërhyrë në punët e brendshme dhe për të krijuar përçarje, duhet të konsolidohet uniteti”, tha Xi, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying.

Presidenti kinez bëri thirrje për ruajtjen e “vijës së fundit të sigurisë” mes “kërcënimeve reale nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë”, duke shtuar se e drejta për zhvillim “duhet të mbrohet”.

“Është thelbësore t’i qëndroni besnik misionit themelues të SCO-së, të vazhdoni të mbani lart flamurin e ‘Shpirtit të Shangait’, të mbështesni njëri-tjetrin dhe të ndihmoni njëri-tjetrin të kenë sukses, të qëndroni në drejtimin e duhur për zhvillimin e SCO-së dhe ta ndërtoni këtë organizatë në një organizatë të besueshme, themel për prosperitet dhe rigjallërim të përbashkët të shteteve të saj anëtare”, tha presidenti kinez.

Ai rikujtoi se SCO është zgjeruar, për të përfshirë 10 shtete anëtare në 23 vitet e fundit.

“Familja e madhe tani përbëhet nga 26 vende nga tre kontinente. Dhe asaj i janë bashkuar gjithnjë e më shumë partnerë dhe kanë ndërtuar bazë më solide për bashkëpunim”, shtoi ai.

Samiti dy-ditor filloi dje në Astana, ku SCO pranoi Bjellorusinë si shtetin e 10-të anëtar të plotë. Bjellorusia u bë partner dialogu në SCO në 2010 dhe shtet vëzhgues në vitin 2015.

Organizata u themelua në vitin 2001 në Shangai. Fillimisht, ajo përbëhej nga gjashtë vende: Rusia, Kazakistani, Kirgistani, Kina, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Në vitin 2017, India dhe Pakistani iu bashkuan bllokut, dhe Irani në 2023.

SCO ka dy shtete të tjera vëzhguese, Afganistanin dhe Mongolinë dhe 14 partnerë të dialogut, përfshirë Türkiyen.

Related posts

Kurti udhëton për në Bruksel

rezart morina

Vritet një person në Klinë

rezart morina

Kapet një anije me rreth 700 emigrantë në brigjet lindore të Libisë 

admin