RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bangladesh, vazhdon ora policore, ndërprerja e internetit dhe patrullimet ushtarake

bangladesh,-vazhdon-ora-policore,-nderprerja-e-internetit-dhe-patrullimet-ushtarake

Ora policore, ndërprerja e internetit dhe patrullimet ushtarake kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme për të frenuar trazirat që morën të paktën 187 jetë në të gjithë vendin lidhur me reformat në vendet e punës në sektorin publik, raporton Anadolu.

Në një urdhër të ri, qeveria zgjati orën policore deri të enjten, e cila u vendos të premten në mbrëmje së bashku me vendosjen ushtarake.

Në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, qeveria mbrëmë lëshoi një njoftim duke ulur kuotën në 7 për qind nga 56 për qind në vendet e punës në sektorin publik.

Studentët protestues, të cilët dhanë një ultimatum 48-orësh për të sjellë normalitetin, thanë se do t’i përgjigjen qeverisë pasi të rivendoset normaliteti.

Protestat e studentëve u kthyen në të dhunshme pasi policia dhe persona të partisë në pushtet Liga Awami dyshohet se hapën zjarr ndaj protestuesve javën e kaluar.

Inspektori i pikës policore të Spitalit të Kolegjit Mjekësor në Dhaka, Md Bachchu Mia, tha për Anadolu se mesatarisht 70-80 studentë dhe njerëz pranohen në spital çdo ditë që nga e marta e kaluar.

Të paktën 187 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën që nga e marta e javës së kaluar. Prej tyre, raportoi gazeta ‘Prothom Alo’, 13 vdiqën në spitale dje.

Ndërkohë, drejtues të biznesit, gjatë një takimi me kryeministren Sheikh Hasina, ndërprerjen e plotë të shërbimit të internetit në vazhdim e quajtën “gjakderdhje” të biznesit.

Ata i dhanë mbështetjen e tyre kryeministres dhe kërkuan rivendosjen e hershme të shërbimeve digjitale.

Megjithatë, kryeministrja tha se ora policore dhe ndërprerjet do të vazhdojnë derisa situata të përmirësohet.

Me akuzat për dhunë, mbi 2 mijë persona, kryesisht nga Partia Nacionaliste e Bangladeshit, u arrestuan në të gjithë vendin.

Protestat u rritën në Bangladesh që nga java e kaluar kundër sistemit të kuotave, me qeverinë që mbylli institucionet arsimore në përgjigje të trazirave.

Rreth 30 për qind e kuotës prej 56 për qind në vendet e punës në sektorin publik u rezervuan për të afërmit e veteranëve të luftës së pavarësisë.

Megjithatë, Gjykata e Larta të dielën urdhëroi qeverinë të reduktojë kuotën në 7 për qind, duke përfshirë 5 për qind për pasardhësit e veteranëve të luftës.

Për shkak të ndërprerjes së internetit që nga e enjtja e kaluar, fluksi i informacionit nga Bangladeshi ka qenë minimal, ndërsa shumica e mediave lokale nuk kanë mundur të përditësojnë faqet e tyre të internetit.

Shërbimet e internetit pritet të rikthehen mbrëmjen e sotme.

Related posts

​Rebelët e Jemenit thonë se kërkojnë një armëpushim të përhershëm

admin

​Qeveria insiston se vendimi për dinarin s’do të ndryshohet, opozita kërkon koordinim me aleatë

admin

Ministri i Jashtëm turk takohet me homologen gjermane në Egjipt

admin