Ku çalon “tabloja sinoptike” e fundit e Edi Ramës
Në fjalimin e tij të fundit të gjatë e rraskapitës para grupit parlamentar, Edi Rama iu shfaq shqiptarëve në çdo trajtë të mundshme imagjinare: si publicist, filozof, psikolog, antropolog e sociolog.
Ai ligjëroi me tone akademike mbi moralin dhe kapërcimin nga “epoka e mungesave” në “epokën e pritshmërive”. Për t’i dhënë formë kësaj shfaqjeje, u shpërndau deputetëve dy dokumente strategjike me tituj bombastikë: “Rilindja 2.0” dhe “Besa”.
Pikërisht te ky i fundit, që mban emrin e kodit më të shenjtë të shqiptarëve, ngrihet pyetja ulëritëse: A mund t’i zihet besë të pabesit?
Sepse në atë tiradë të gjatë rolesh artificiale, mungonte roli i vetëm për të cilin u rivotua një vit më parë: ai i Kryeministrit që mban përgjegjësi ekzekutive për katrahurën ku gjendet sot vendi.
Në vend të llogaridhënies, Rama shpërndau “Besë”-n e tij prej letre, duke bërë analistin cinik të protestave që kanë mbushur bulevardet. Ky fjalim dhe strategjia e re zbuluan një hipokrizi të thellë: pranimin e dështimeve spektakolare pa asnjë pasojë politike apo morale.
Kryeministri e pranoi publikisht kolapsin në shëndetësi, duke sjellë vetë si shembull një gjyshe 80-vjeçare që ngrihet pa zbardhur dita për të zënë radhën te poliklinika sepse mjeku vjen vonë dhe rri vetëm dy apo tri orë.
Por, në vend që të kërkonte ndjesë për degradimin e sistemit pas tre mandatesh në pushtet, ai ia faturoi fajin “zakonit të mbrapshtë të një mjeku” dhe jo politikave të tij. Pra nuk ka asnjë përgjegjësi reale.
Prandaj çfarë bese mund të ketë tek një pushtet që fajin e nxjerr gjithmonë jetim? Më tej akoma, kryeministri pranoi se edhe një pjesë e mirë e administratës publike – pra e vetë mbështetësve të tij, që marrin rrogën nga taksat e shqiptarëve – ka dalë në protestë kundër tij.
Këtu nisi edhe gjimnastika e tij e paprecedentë mendore. Rama e ktheu revoltën dhe pakënaqësinë e tyre në “meritë” të qeverisë së vet.
Sipas tij, nëse njerëzit e administratës dalin në bulevard, kjo nuk tregon dështim të tij, por provon se “Shqipëria e re që kemi ndërtuar ne”, nuk jeton me hijen e së vjetrës dhe i lejon ata të protestojnë pa u hequr nga puna.
Ky cinizëm që e kthen revoltën e vartësve në sukses të kabinetit, thyen çdo kod besimi dhe logjike. Edhe në lidhje me mbrojtjen e ligjit të kontestuar të Zonave të Mbrojtura – një ligj nxiti protestat – Rama ndoqi të njëjtën rrugë të shkeljes së besës me qytetarët.
Kritikat e tyre i quajti “konflikt të stisur” nga individë me axhenda politike apo eurodeputetë që “nuk e kanë lexuar fare”. E megjithatë, po në të njëjtën fjali, pranoi se nenet e tij do të skanohen një për një me Komisionin Europian.
Kjo sjellje zbulon strategjinë e tij të vjetër gjuhësore e djallëzore të ndarjes së fajit dhe meritës. Kur flitet për dështime, skandale dhe ligje të mbrapshta, kryeministri përdor shumësin kolektiv “Ne”.
Ai thotë “Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar” ose “Ne duhet të ndryshojmë”, duke e shpërndarë fajin në mënyrë abstrakte që të mos mbajë askush përgjegjësi konkrete.
Por kur vjen puna te ndonjë arritje apo tek pretendimi për të qenë i pazëvendësueshëm, shumësin “Ne” e zëvendëson menjëherë me njëjësin “Unë”. Për Ramën, forca e protestës qenka thjesht “më imponuese sesa figura ime”, duke e ngritur kësisoj veten si etalonin e vetëm me të cilin matet çdo gjë në këtë vend.
“Tabloja sinoptike” e Edi Ramës çalon sepse refuzon të shohë realitetin në sy. Shqiptarët nuk po protestojnë sepse u janë rritur standardet e “epokës së pritshmërive” dhe nuk kënaqen më me një shkollë apo lulishte të re.
Ata po protestojnë sepse shteti po u rrëshqet nën këmbë nga korrupsioni galopant, sepse shëndetësia e premtuar falas i detyron 80-vjeçarët të lypin shërbim, dhe sepse Zonat e Mbrojtura po kthehen në troje biznesi për oligarkët.
Shqiptarët nuk e votuan Edi Ramën për t’u shpërndarë traktate morale apo për t’u bërë psikologu i plagëve të tyre. Ata e votuan për të qeverisur. Të kërkosh një “besëlidhje” të re ndërsa shmang llogaridhënien për katrahurën që ke shkaktuar nuk është më thjesht arrogancë.
Është një tallje e hapur ndaj një populli të tradhtuar, që kërkon shtet e jo leksione morali. tesheshi

