Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas bisedoi për çështjen palestineze me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, Abbas u takua me Bin Salman në Xheda ku po qëndron në një vizitë zyrtare.
Në takim morën pjesë sekretari i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) Husein al-Sheikh, shefi i inteligjencës Majed Faraj dhe këshilltari presidencial për çështjet diplomatike, Majdi al-Khalidi.
Si pjesë e delegacionit saudit, në takim morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Faisal bin Farhan, nënsekretari për Sigurinë Kombëtare Musaad bin Mohammed Al Aiban dhe shefi i Inteligjencës Kombëtare, Khalid bin Ali Al Humaidan.
Gjatë takimit, Abbas paraqiti informacionet më të fundit të zhvillimeve në lidhje me çështjen palestineze dhe situatën në territorin e pushtuar palestinez.
Ai shtoi se Arabia Saudite “luan një rol aktiv dhe të rëndësishëm” në kontekstin e luftës palestineze, duke theksuar rëndësinë e ofrimit të mbështetjes për popullin palestinez.
Abbas theksoi se populli palestinez më në fund duhet të ketë një shtet të pavarur, të lirë dhe legjitim palestinez me Kudsin si kryeqytet.
Shefi i Byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh ka mbërritur dje në Arabinë Saudite me një delegacion.
Nuk dihet ende nëse do të ketë takim mes Abbas dhe Haniyeh.