Alternativa e krahut të djathtë për Gjermaninë (AfD) bëri thirrje të mërkurën për deportimin e më shumë se një milion refugjatëve, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar, duke dyfishuar kërkesat e saj vetëm disa ditë pas fitores së saj në zgjedhjet rajonale, transmeton Anadolu.
Në një debat të nxehtë në parlamentin gjerman, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, tha se votuesit kanë mbështetur një ndryshim radikal për të frenuar emigracionin masiv duke i dhënë një fitore dërrmuese partisë së saj në zgjedhjet e së dielës në shtetin lindor të Saksoni-Anhalt.
“Ju e shpallni krizën e emigracionit të mbaruar. Megjithatë, çdo vit qindra mijëra emigrantë hyjnë në vend përmes derës së pasme të azilit, shumica nga kulturat fisnore myslimane. Dhe në Gjermani jetojnë më shumë se një milion refugjatë, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar më shumë se një herë”, thai ajo duke shtuar se “Çfarë po bëjnë ende këta njerëz në këtë vend? Ata i përkasin deportimit”.
Weidel gjithashtu pretendoi se migrimi masiv i ka bërë rrugët më pak të sigurta dhe krimin më të përhapur, duke përmendur vepra penale seksuale dhe të dhunshme, sulme me thikë dhe çrregullime në hapësirat publike. Ajo pohoi më tej se disa grupe të huaja ushqejnë urrejtje ndaj të krishterëve, gjermanëve dhe Gjermanisë, dhe se rreth tre të katërtat e përfituesve të mbështetjes bazë të të ardhurave të Gjermanisë për kërkuesit e punës ishin të huaj ose kishin një sfond migrues.
Kancelari Friedrich Merz, duke folur pas Weidel, e hodhi poshtë rrëfimin e saj si të shkëputur nga realiteti dhe theksoi kontributin e emigrantëve në ekonominë gjermane. Miliona njerëz me sfond migrues punojnë në zanate të kualifikuara, tha ai duke vënë në dukje se çdo i gjashti punonjës në atë sektor mban një pasaportë të huaj.
“Nëse ata emigrantë që punojnë në Gjermani duhet të largohen nga vendi për shkak të planeve tuaja të ‘rimigrimit’, atëherë sektori i zanateve të kualifikuara në Gjermani nuk mund të funksionojë më,” tha Merz. “Atëherë asnjë shtëpi kujdesi nuk do të funksionojë më, atëherë asnjë spital në Gjermani nuk do të funksionojë më, atëherë asnjë restorant i vetëm nuk do të jetë në gjendje të funksionojë në Gjermani”, shtoi ai.
Kancelari gjerman e akuzoi AfD-në për nxitje frike dhe përçarje të shoqërisë. “Ajo që po përhapni këtu, përkatësisht rimigrimi, nuk është gjë tjetër veçse spastrim etnik sipas ngjyrës së lëkurës dhe origjinës – asgjë tjetër,” tha ai.
Merz u shpreh se Bashkimi i tij Kristian Demokrat (CDU) dhe koalicioni qeverisës bëjnë dallimin midis emigrantëve që punojnë, kontribuojnë dhe janë bërë pjesë e Gjermanisë, dhe të huajve pa status qëndrimi dhe pa të drejtë qëndrimi, të cilët duhet të kthehen. Ai mbrojti linjën e qeverisë për të frenuar migracionin e parregullt dhe për të dërguar mbrapsht ata, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

