Në kompleksin Al-Aksa në Kuds afro 150 mijë besimtarë e falën namazin e Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot muslimanët në mbarë botën festojnë të parën nga katër ditët e Kurban Bajramit ndërsa besimtarët namazin e Bajramit e falën në kompleksin Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Zyra për Vakëfet Islame në Kuds njoftoi se afro 150 mijë besimtarë nga Palestina dhe vende të tjera të botës morën pjesë në namazin e Bajramit.
Namazi u pasua me urimin tradicional dhe ofrimin e ëmbëlsirave.
Nga ana tjetër, agjencia palestineze e lajmeve WAFA raporton se policia izraelite është vendosur që nga mbrëmja e kaluar në pjesën e vjetër të Kudsit Lindor.
Policia izraelite kontrolloi hyrjen në kompleksin Al-Aksa dhe nuk lejoi shumë palestinezë të hynin.