RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Agjencitë e OKB-së: Një grua vdes çdo 2 minuta për shkak të shtatzënisë ose lindjes

agjencite-e-okb-se:-nje-grua-vdes-cdo-2-minuta-per-shkak-te-shtatzenise-ose-lindjes

Sipas një raporti nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara (OKB), një grua vdes çdo dy minuta për shkak të shtatzënisë ose lindjes së fëmijës, transmeton Anadolu.

Raporti i titulluar “Tendencat në vdekshmërinë e nënave” zbuloi pengesa alarmante për shëndetin e grave gjatë viteve të fundit, pasi vdekjet e nënave ose janë rritur ose kanë ngecur në pothuajse të gjitha rajonet e botës, por theksoi se përparimi është i mundur.

“Përderisa shtatzënia duhet të jetë një kohë shprese e madhe dhe një përvojë pozitive për të gjitha gratë, ajo tragjikisht është një përvojë tronditëse e rrezikshme për miliona në mbarë botën të cilëve u mungon qasja në kujdesin shëndetësor me cilësi të lartë dhe i respektueshëm”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Sipas tij, këto statistika të reja zbulojnë “nevojën urgjente për të siguruar që çdo grua dhe vajzë të kenë qasje në shërbimet shëndetësore kritike para, gjatë dhe pas lindjes së fëmijës”.

Raporti ndoqi vdekjet e nënave në nivel kombëtar, rajonal dhe global nga viti 2000 deri në vitin 2020 dhe theksoi se ka pasur rreth 287 mijë vdekje të nënave në mbarë botën në vitin 2020.

Kjo shifër shënoi vetëm një rënie të lehtë nga 309 mijë vdekje që u regjistruan në vitin 2016 kur u shfaqën Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).

Fitimet e ngecura

Përderisa raporti paraqiste njëfarë progresi në reduktimin e vdekjeve të nënave midis viteve 2000 dhe 2015, fitimet në thelb ngecën ose në disa raste edhe u kthyen, pas kësaj pike.

Në dy nga tetë rajonet e OKB-së, respektivisht në Evropë dhe Amerikën Veriore, nga viti 2016 në vitin 2020 shkalla e vdekshmërisë së nënave u rrit me 17 për qind, ndërsa në Amerikën Latine dhe Karaibe u rrit me 15 për qind. Në rajonet të tjera shkalla e vdekshmërisë mbeti e njëjtë.

Në vitin 2020, rreth 70 për qind e të gjitha vdekjeve të nënave ishte në Afrikën Sub-Sahariane.

Gjithsej, vdekjet e nënave mbeten të përqendruara kryesisht në pjesët më të varfra të botës dhe në vendet e prekura nga konflikti.

Gjatë të njëjtës periudhë, dy rajone, Australia dhe Zelanda e Re, si dhe Azia Qendrore dhe Azia Jugore, në shkallën e tyre të vdekshmërisë pësuan rënie të ndjeshme, respektivisht me 35 për qind dhe 16 për qind.

“Për miliona familje, mrekullia e lindjes së fëmijëve dëmtohet nga tragjedia e vdekjeve të nënave. Asnjë nënë nuk duhet të ketë frikë për jetën e saj derisa sjell një fëmijë në botë, veçanërisht kur ekzistojnë njohuritë dhe mjetet për të trajtuar komplikimet e zakonshme”, tha Catherine Russell, drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it.

Russell tha se barazia në kujdesin shëndetësor i jep çdo nëne një mundësi të drejtë për një lindje të sigurt dhe një të ardhme të shëndetshme me familjen e saj.

Në nëntë vende që përballen me kriza të rënda humanitare, shkalla e vdekshmërisë ishte më shumë se dyfishi i mesatares botërore, gjegjësisht 551 vdekje të nënave në 100 mijë lindje krahasuar me 223 vdekje në nivel global.

“Me veprime të menjëhershme, më shumë investime në kujdesin parësor shëndetësor dhe sisteme shëndetësore më të forta e më elastike, ne mund të shpëtojmë jetë, të përmirësojmë shëndetin dhe mirëqenien, si dhe të avancojmë të drejtat dhe mundësitë për gratë dhe adoleshentët”, tha Juan Pablo Uribe, i cili drejton shëndetin, ushqimin, dhe popullsinë globale në Bankën Botërore.

Sipas raportit, pandemia e koronavirusit COVID-19 mund të ketë penguar më tej përparimin në shëndetin e nënës.

Related posts

Revolucioni në botën e modës/ Krijesat e Inteligjencës Artificiale s’kanë nevojë për kamera, si modelet e IA po trondisin industrinë duke vënë nën presion vajzat e reja

admin

​”Si vëllezër të gjakut e të armës”, stërviten bashk komandot e Shqipërisë dhe Kosovës

rezart morina

Spitali nëntokësor i Iz’raelit përgatitet për su’lm

RTI