Pyetjet që mbeten përtej lajmit të javës: pasi zbraz vendin, qeveria rregullon hartën territoriale
Nga Ornela Çuçi
Qeveria nuk po ndryshon vetëm hartën administrative të Shqipërisë. Po përpiqet t’ia përshtatë hartën një vendi nga i cili njerëzit vazhdojnë të largohen. Propozimi i mazhorancës parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 28 bashkive ekzistuese në 13 njësi të reja. Në gjuhën zyrtare kjo quhet konsolidim territorial, rritje e eficiencës dhe forcim i kapaciteteve vendore. Teknikisht, bashkohen disa territore të zbrazura dhe zvogëlohet numri i administratave. Por hartat administrative nuk zbrazen vetë. Përpara se të shkrihen bashkitë, janë zbrazur fshatrat, janë mbyllur klasat, janë larguar mjekët, kanë falimentuar bizneset dhe janë plakur qytetet e vogla. Prandaj reforma e re territoriale nuk mund të diskutohet sikur Shqipëria të ishte e njëjta me atë të vitit 2014. Ajo po zhvillohet mbi një territor që ka humbur popullsi dhe kapital njerëzor, ku shumë bashki nuk kanë më as numrin e banorëve, as të ardhurat dhe as kapacitetet profesionale për të ushtruar funksionet që u janë ngarkuar.
Këtë javë, pothuaj paralelisht me debatin për hartën, dolën edhe të dhënat e reja të Eurostat-it për emigracionin nga Monitor. Nga viti 2008 deri në vitin 2025, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë rreth 1.1 milion leje të para qëndrimi për shtetasit shqiptarë. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 68,653 leje të tilla, 4 % më shumë se një vit më parë. Natyrisht, 1.1 milion leje nuk përkthehen automatikisht në 1.1 milion individë të ndryshëm. Statistika duhet lexuar me kujdes. Por prirja që ajo dëshmon nuk lë shumë hapësirë për interpretime se pas gati dy dekadash, shqiptarët vazhdojnë të largohen në përmasa jashtëzakonisht të mëdha.
Kjo është arsyeja pse emigracioni dhe reforma territoriale nuk janë dy lajme të ndara. Njëri tregon se sa njerëz e kanë zhvendosur jetën jashtë vendit; tjetri tregon se si shteti po organizon territorin që mbetet pas tyre. Një bashki nuk është vetëm kryetari, godina dhe administrata. Është prania e shtetit në një territor. Është mundësia që një qytet të ketë zërin e vet në shpërndarjen e investimeve, të ardhurave dhe shërbimeve. Është edhe ndjesia se ai vend vazhdon të ketë një rol dhe një të ardhme. Për këtë arsye, kundërshtimi i banorëve nuk mund të reduktohet te pyetja se ku do të marrin një certifikatë. Certifikatën, pas miliardave të shpenzuara për digjitalizimin, teorikisht e marrin në e-Albania. Pyetja më e rëndësishme është se ku do të merret vendimi për shkollën, qendrën shëndetësore, rrugën, ujin, investimin publik dhe zhvillimin e zonës së tyre. Dhe, mbi të gjitha, nëse qyteti që humbet bashkinë do të humbasë gradualisht edhe peshën politike në konkurrencën për këto burime. E po kaq e vërtetë është se një pjesë e rezistencës mund të lidhet edhe me vendet e punës në administratat që pritet të shkrihen. Nuk ka nevojë ta romantizojmë çdo protestë. Reforma prek interesa, poste, kontrata dhe rrjete lokale pushteti. Por kjo nuk e zhvlerëson shqetësimin e komunitetit. Përkundrazi, tregon sa i brishtë është bërë modeli ekonomik i qyteteve të vogla, kur vetë bashkia është një nga punëdhënësit kryesorë dhe humbja e një institucioni publik përjetohet si goditje për të gjithë ekonominë vendore. Kjo është edhe prova se problemi nuk fillon te numri i bashkive. Fillon te mungesa e një modeli zhvillimi jashtë qendrës. Nëse një bashki është bërë tepër e vogël dhe tepër e dobët për të funksionuar, bashkimi mund të jetë administrativisht i arsyeshëm. Por dobësimi i saj nuk është një fenomen natyror. Nuk erdhi ndonjë mëngjes nga ndryshimi i klimës apo nga zhvendosja e pllakave tektonike. Pas tij qëndrojnë vite pa investime të mjaftueshme, pa vende pune, pa transport publik funksional, pa shkolla konkurruese dhe pa shërbime shëndetësore që u japin familjeve sigurinë për të jetuar aty. Thjesht, pastër dhe pa gabime, qeveria po propozon si zgjidhje administrative pasojën e një dështimi politik, sepse nga ky vend tashmë nuk largohen më vetëm të papunët apo njerëzit pa arsim. Shqipëria po humbet pikërisht ata profesionistë për formimin e të cilëve ka investuar më shumë.
Studimi i profesor Ilir Gëdeshit, Russell King dhe Isilda Mara, i publikuar në qershor 2026 nga European Training Foundation, sjell një nga fotografitë më shqetësuese të këtij procesi. Nga 729 mjekë të anketuar në Shqipëri gjatë viteve 2023–2025, 39.7 për qind shprehen se dëshirojnë të emigrojnë. Te mjekët e moshës 24–40 vjeç, përqindja arrin në 52.9. Pra, më shumë se një në dy mjekë të rinj po mendon ta ndërtojë të ardhmen jashtë vendit. Autorët nuk janë mjaftuar me deklarimin e dëshirës. Ata kanë shqyrtuar edhe hapat konkretë të ndërmarrë nga mjekët: mësimin e gjuhës, mbledhjen e informacionit dhe krijimin e lidhjeve profesionale në vendin ku synojnë të shkojnë. Mbi këtë bazë, rreth 16 për qind klasifikohen si realisht të mundshëm për t’u larguar. E përkthyer në numra, bëhet fjalë për afërsisht 860 mjekë. Vetëm në Gjermani, numri i mjekëve shqiptarë është rritur nga rreth 630 në vitin 2015 në 1,240 në vitin 2024. Mjeku tek ne nuk ikën vetëm për pagën. Ikën sepse beson se diku tjetër ka së pari meritokraci dhe një jetë të qetë dhe të mirërregulluar nga ana sociale.
Në Poliçan, Kryeministri u përpoq ta paraqiste bashkimin si të vetmen zgjidhje të arsyeshme. Bashkitë janë dobësuar, njerëzit janë larguar, ndaj tani duhet rregulluar harta. Por njerëzit nuk ikën vetë dhe qytetet nuk u zbrazën brenda natës. Për vite me radhë u përqendruan në Tiranë puna, investimet dhe shërbimet; tani pasojat e këtij modeli po quhen “eficiencë”. Dhe kur disa qytetarë kundërshtuan, në vend që të dëgjoheshin, u nxorën nga salla….nervat e dobëta shumë…. Vështirë t’u premtohet qyteteve se nuk do ta humbin zërin, kur zëri u mbytet që në takimin ku diskutohet e ardhmja e tyre.
Ndërkohë, Shqipëria synon të integrohet në Europë, kurse shqiptarët po integrohen atje një nga një, me leje qëndrimi në xhep. Qeveria po ndryshon hartën sipas numrit të atyre që kanë mbetur, pa u ndalur seriozisht te arsyeja pse kaq shumë të tjerë ikën. Sepse, në fund, çështja nuk është vetëm sa bashki do të kemi. Është sa shqipatarë do të mbeten brenda hartës

