RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Albanese: Britania duhet të ndryshojë rrënjësisht politikat e saj ndaj Izraelit

albanese:-britania-duhet-te-ndryshoje-rrenjesisht-politikat-e-saj-ndaj-izraelit

Ndalimi i mallrave nga kolonitë nuk mjafton
Britania e Madhe duhet të ndryshojë rrënjësisht politikën që ka ndjekur deri tani ndaj Izraelit dhe pushtimit të territoreve palestineze.

Kështu mendon Francesca Albanese, raportuesja speciale e OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, e cila i ka kërkuar Londrës të mos mjaftohet me masa simbolike.

Qeveria britanike po përgatitet të shpallë një rishikim të politikës së saj ndaj Izraelit. Mes masave që po diskutohen është edhe ndalimi i tregtisë me mallrat që prodhohen në vendbanimet izraelite të ngritura në territoret palestineze të pushtuara.

Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka paralajmëruar se Londra do të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj zgjerimit të vendbanimeve dhe pengesave që vazhdojnë t’i vendosen ndihmës humanitare për Gazën.

Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të forta në Izrael dhe në radhët e mbështetësve të tij. Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, akuzoi qeverinë britanike për qëndrime antisemite, duke iu bashkuar kritikave të Ministrisë së Jashtme izraelite.

Por Francesca Albanese thotë se debati nuk duhet të përqendrohet te deklaratat politike, por te masat konkrete që Britania është e gatshme të marrë.

Sipas saj, ndalimi i mallrave që vijnë nga vendbanimet do të ishte një hap i rëndësishëm dhe i vonuar prej kohësh, por nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm.

Ajo paralajmëron se pushtimi nuk mbështetet vetëm përmes tregtisë së produkteve bujqësore apo artikujve të tjerë të konsumit. Pas tij qëndron një rrjet shumë më i gjerë marrëdhëniesh ekonomike, financiare, ushtarake dhe politike.

Për këtë arsye, Albanese kërkon që Londra të shqyrtojë të gjithë spektrin e bashkëpunimit me Izraelin. Sipas saj, në këtë proces duhet të përfshihen tregtia e shërbimeve, licencat për eksportin e armëve, bashkëpunimi në fushën e inteligjencës dhe aktivitetet ushtarake britanike në rajon.

Në qendër të argumentit të saj qëndron opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dhënë në vitin 2024. Gjykata e konsideroi të paligjshme praninë e Izraelit në territoret palestineze të pushtuara dhe përcaktoi se shtetet e tjera kanë detyrimin të mos e njohin apo ndihmojnë ruajtjen e kësaj gjendjeje.

Sipas Albanese-s, ky vendim nuk u lë vendeve të tjera shumë hapësirë për interpretim. Ato nuk mund të dënojnë publikisht zgjerimin e vendbanimeve, ndërsa në praktikë vazhdojnë të mbështesin strukturat që e bëjnë të mundur pushtimin.

Një politikë e tillë, thotë ajo, do të ishte vetëm ndryshim në gjuhën e komunikimit dhe jo në thelbin e marrëdhënies. Ndalimi i disa mallrave, ndërkohë që vazhdon bashkëpunimi në fusha të tjera, nuk do të sillte llogaridhënie të vërtetë.

“Me kalimin e kohës, këto masa mund të shihen thjesht si një komunikatë për shtyp”, paralajmëron raportuesja e OKB-së.

Një nga çështjet më të rëndësishme ku Britania mund të tregojë nëse është vërtet e gatshme të ndryshojë politikë është projekti E1 në Bregun Perëndimor. Ky projekt, parashikon zgjerimin e vendbanimeve izraelite në një zonë strategjike pranë Jerusalemit Lindor.

Palestinezët dhe komuniteti ndërkombëtar prej kohësh kanë paralajmëruar se ndërtimet në këtë zonë mund ta ndajnë Bregun Perëndimor në dy pjesë. Një zhvillim i tillë do ta bënte edhe më të vështirë krijimin e një shteti palestinez të bashkuar dhe funksional.

Albanese kërkon që Britania të mos mjaftohet me deklarata kundër projektit. Sipas saj, duhet të merren masa edhe ndaj kompanive, bankave, firmave të sigurimeve dhe sipërmarrjeve të ndërtimit që mund të përfshihen në realizimin e tij.

Ajo vëren se E1 nuk është thjesht një zgjerim tjetër i vendbanimeve ekzistuese. Sipas saj, projekti përbën një hap të ri drejt aneksimit të territoreve palestineze.

Raportuesja e OKB-së i ka kërkuar gjithashtu Londrës të marrë një rol më aktiv në mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë. Sipasa saj, Britania duhet të mbështesë më hapur proceset që zhvillohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të mos i shohë ato si kërcënim për marrëdhëniet me aleatët e saj.

Në fund, Albanese e vendos qeverinë britanike përballë një zgjedhjeje politike dhe morale. Londra mund të vazhdojë të ruajë marrëdhënien tradicionale me Izraelin, duke shmangur masa që mund të sjellin pasoja politike dhe ekonomike.

Por mund të zgjedhë edhe një rrugë tjetër, duke e vendosur respektimin e së drejtës ndërkombëtare mbi interesat e momentit. Për Albanese, një aleancë që nuk mbështetet te parimet dhe sundimi i ligjit nuk mund të konsiderohet partneritet i qëndrueshëm.

Në fund të fundit, ajo thotë se gjithçka do të gjykohet nga veprimet. Nëse rishikimi i politikës britanike kufizohet vetëm te disa masa simbolike, atëherë asgjë thelbësore nuk do të ndryshojë.

Britania ka mundësinë të ndryshojë drejtimin e politikës së saj ndaj Izraelit. Por, sipas Francesca Albanese-s, një ndryshim i vërtetë nuk matet me deklaratat që bëhen në Londër, por me gatishmërinë për të ndërprerë çdo formë bashkëpunimi që ndihmon në vazhdimin e pushtimit. tesheshi

Related posts

Somalia kundërshton njohjen e Somalilandit si shtet nga Izraeli, e quan shkelje e sovranitetit

Muhamet Ramadani

Escobar: Asociacioni do të bëhet, pyetja e vetme është se sa shpejt do të ndodhë

Muhamet Ramadani

Presidenti turk dhe ai azerbajxhanas diskutojnë sulmin me dron në Nakhchivan të Azerbajxhanit

Kushtrim Guraj