I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka deklaruar se vendimi për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” i takon popullit shqiptar dhe sipas tij komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë atë, transmeton Anadolu.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Zampolli ka zhvilluar takime me përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues të Komunitetit Bektashi dhe zyrtarë të tjerë.
Raportohet se në një prononcim për mediet nga Kryegjyshata Bektashiane në Tiranë, Zampolli foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, bashkëpunimin dypalësh, si dhe mbi projektin për krijimin e një “shteti bektashi”.
I pyetur për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi”, i dërguari amerikan tha se e ka dëgjuar propozimin në fjalë.
“Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, raportohet të ketë deklaruar Zampolli.
Në kuadër të vizitës në Shqipëri, është planifikuar që Zampolli të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Kujtojmë se në shtator të vitit të vitit 2024, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi për një media të huaj se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për një entitet në Tiranë, që do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, duke shkaktuar reagime në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

