Sulmet ndaj Riadit vënë në provë karakterin dhe kufijtë e pakti mes Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Turqisë
Mansoor Qaisar, Middle East Monitor
Kur Arabia Saudite, Pakistani dhe Turqia nënshkruan në gusht Aleancën e Mekës për Mbrojtjen, marrëveshja u si një deklaratë qëllimesh.
Por më 5 tetor, ministrat dhe komandantët u mblodhën në Riad dhe ranë dakord të aktivizonin mekanizmat e parandalimit kolektiv, duke dërguar me shpejtësi trupa dhe kapacitete ushtarake në mbretëri.
Në të njëjtin takim, gjenerali pakistanez në pension Nauman Mahmood u emërua sekretari i parë i përgjithshëm i aleancës, për një mandat trevjeçar.
Më pas, dy sulme të huthinjve goditën aeroportin ndërkombëtar King Khalid në Riad, duke shënjestruar objektet e tij dhe një avion të kompanisë Saudia.
Tre shtetas sauditë humbën jetën, mes tyre një pilot, ndërsa u plagosën edhe persona të kombësive të tjera. Qindra fluturime u anuluan, megjithëse aeroporti rifilloi funksionimin normal të premten. Mesazhi ishte i qartë: edhe kryeqyteti saudit mund të goditet.
Tani aleanca duhet t’i përgjigjet një pyetjeje thelbësore. Marrëveshja është frymëzuar nga neni 5 i NATO-s, sipas të cilit sulmi ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Megjithatë, të tria qeveritë këmbëngulin se aleanca ka karakter thjesht mbrojtës. Këto dy qëndrime mund të bashkëjetojnë vetëm nëse përcaktohet qartë kufiri mes mbrojtjes dhe përfshirjes në një luftë sulmuese.
Përshkallëzimi lidhet edhe me përplasjen më të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sipas Reuters, sulmet iraniane kanë penguar qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, duke rritur rëndësinë strategjike të Detit të Kuq dhe Ngushticës së Bab el-Mandebit.
Ndërkohë, huthinjtë kanë zgjeruar kontrollin përgjatë bregdetit, ndërsa Arabia Saudite u është përgjigjur me sulme ajrore, përfshirë në Sana. Forcat qeveritare jemenase, të mbështetura nga Riadi, kanë nisur një ofensivë për të rimarrë territoret e humbura. Koalicioni deklaron se ka goditur 324 objektiva dhe ka siguruar mbështetje ajrore për forcat qeveritare.
Kështu, Arabia Saudite, shteti që aleanca synon të mbrojë, është njëkohësisht e përfshirë në një ofensivë ushtarake. Kjo nuk ia mohon të drejtën për t’u mbrojtur, por tregon se karakteri mbrojtës i aleancës nuk mund të merret si i mirëqenë.
Princi Khalid bin Salman deklaroi se aleanca do të vepronte kundër sulmeve dhe “të gjithë atyre që janë përgjegjës për to”, pa sqaruar nëse kjo përfshin vetëm huthinjtë apo edhe shtetet që i mbështesin.
Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif, ka deklaruar se trupat pakistaneze dhe turke kanë rol mbështetës, ndërsa në luftime janë angazhuar vetëm forcat saudite.
Më 9 tetor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pakistaneze tha se forcat aleate nuk do të kryejnë sulme nga Jemeni apo brenda territorit të tij, duke i cilësuar si spekulime raportimet për goditje pakistaneze.
Megjithatë, raportimet ngrenë pikëpyetje. Middle East Eye, duke iu referuar Reuters, shkroi se Pakistani kishte dërguar katër ngarkesa avionësh me armë në Aden për qeverinë jemenase të mbështetur nga Arabia Saudite. Informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet i paverifikuar.
Nëse është i saktë, ai ngre pikëpyetje për dallimin mes mbrojtjes së qyteteve saudite dhe armatosjes së njërës palë në një ofensivë tokësore. Edhe numri i trupave të angazhuara mbetet i paqartë.
Në maj, Reuters raportoi se Pakistani kishte dërguar në Arabinë Saudite 8.000 ushtarë, një skuadrilje avionësh luftarakë dhe një sistem të mbrojtjes ajrore. Më 2 tetor, agjencia citoi një zyrtar pakistanez, sipas të cilit 30.000 deri në 40.000 ushtarë po ndihmonin në mbrojtjen e kufijve të mbretërisë dhe në interceptimin e dronëve e raketave.
Ushtria pakistaneze ka konfirmuar praninë e forcave të saj në Arabinë Saudite, por pa sqaruar përmasat dhe objektivat e angazhimit aktual. Një mision trajnimi dhe këshillimi nuk është i njëjtë me angazhimin e dhjetëra mijëra ushtarëve.
Pozicionet e sakta mund të mbahen sekret për arsye sigurie, por numri i përgjithshëm i trupave, qëllimi i misionit dhe kufijtë e angazhimit janë çështje të politikës publike. Nga ana tjetër, Pakistani përballet me një dilemë politike.
Parlamenti i tij votoi unanimisht kundër dërgimit të trupave luftarake në konfliktin e Jemenit dhe ky qëndrim nuk është shfuqizuar zyrtarisht. Vendi ndan një kufi të gjatë me Iranin, i cili mbështet huthinjtë, dhe ka një komunitet të madh shiit.
Për më tepër, duhet të përballojë tensionet me Indinë, pasigurinë në kufirin me Afganistanin dhe kryengritjen e armatosur në Beluçistan. Edhe ekonomia mbetet e brishtë. Marrëveshja prej 1.2 miliardë dollarësh me FMN-në shoqërohet me paralajmërime se konflikti në Lindjen e Mesme po rëndon mbi rritjen ekonomike.
Kriza prek edhe familjet që varen nga dërgesat e emigrantëve në vendet e Gjirit. Kjo nuk do të thotë se Pakistani duhet t’i kthejë shpinën Arabisë Saudite, por se angazhimi duhet të jetë i qartë dhe i përballueshëm.
Edhe Turqia nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen. Ministri i Jashtëm Hakan Fidan ka deklaruar se Ankaraja po vlerëson mënyrat se si mund të kontribuojë. Pa miratimin parlamentar, angazhimi turk mund të bëhet më i vështirë për t’u mbajtur nëse konflikti shkakton viktima.
Edhe nëse sistemet kundërajrore funksionojnë në mënyrë të përsosur, lufta në Jemen do të vazhdojë. Raketat mund të interceptohen, por mosmarrëveshjet politike, territoriale dhe sektare nuk zgjidhen me mjete ushtarake.
Rreziku është që aleanca, e krijuar për të mbrojtur civilët, të përfundojë e përfshirë në një fushatë pa objektiv të qartë përfundimtar. Për ta shmangur këtë, tri shtetet duhet të përcaktojnë qartë se cilat kërcënime aktivizojnë reagimin kolektiv dhe cilat veprime përjashtohen, përfshirë operacionet përtej kufijve dhe furnizimin me armë të forcave që luftojnë në Jemen.
Parlamentet duhet të informohen për numrin e trupave dhe rregullat e angazhimit, ndërsa Turqia duhet të përfundojë ratifikimin. Po aq e rëndësishme është që gatishmëria ushtarake të shoqërohet me përpjekje diplomatike përmes Omanit, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë rajonalë.
Aleanca e Mekës u krijua me premtimin se fuqitë rajonale mund të garantojnë vetë sigurinë e tyre. Por suksesi nuk do të matet me numrin e trupave, por me sigurinë e civilëve, mbrojtjen e qyteteve dhe aftësinë për të mos lejuar përhapjen e luftës.
Nëse tri qeveritë përcaktojnë qartë kufijtë e angazhimit dhe e lidhin fuqinë ushtarake me diplomacinë, aleanca mund të shërbejë si model bashkëpunimi rajonal. Në të kundërt, rrezikon të kujtohet si një marrëveshje që premtoi më shumë sesa përcaktoi. tesheshi

