Duke theksuar se të dy vendet ranë dakord të hapin një faqe të re në raportet mes tyre, Macron tha: “Ne kemi një histori të përbashkët komplekse dhe të dhimbshme. Kjo na pengoi të shikojmë nga e ardhmja. Vendosëm të krijojmë një komitet të përbashkët për të punuar mbi arkivat e epokës koloniale, i cili do të përfshijë historianë të përbashkët (nga të dy vendet)”.
Macron mbërriti në Algjeri dje për vizitën e tij të parë në pesë vjet, sipas mediave franceze.
I pritur nga homologu i tij Abdelmadjid Tebboune në aeroportin Houari Boumediene në kryeqytetin Algjer, Macron shpreson të rregullojë marrëdhëniet e tensionuara reciproke me këtë vizitë, sipas transmetuesit shtetëror France 24.
Kanali vuri në dukje se vizita e Macron-it do të orientohet drejt të rinjve dhe të ardhmes në vendin e Afrikës së Veriut dhe se ai do të takohet me sipërmarrës të rinj algjerianë përpara se të niset për në qytetin verior Oran.
Në vizitën e tij treditore, Macron shoqërohet nga një delegacion prej 90 anëtarësh, ku përfshihen ministra, përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të historisë së dy vendeve.
Ndërsa mosmarrëveshjet janë të rrënjosura në të kaluarën e tyre të përbashkët, tensionet arritën një nivel të ri vitin e kaluar pasi Macron vuri në pikëpyetje identitetin dhe ekzistencën parakoloniale të Algjerisë dhe Franca uli numrin e vizave në dispozicion të shtetasve nga Algjeria.
Vendi i Afrikës së Veriut fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1962 pas një lufte tetëvjeçare. /aa