RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti në Prizren, me Totajn diskutojnë për projektin infrastrukturor Prizren – Tetovë

kurti-ne-prizren,-me-totajn-diskutojne-per-projektin-infrastrukturor-prizren-–-tetove

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zv/ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.

Në këtë takim, që kryeministri e cilësoi të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.

Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.

“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, tha Kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes nacional, derisa theksoi se si Komunë zotohen që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.

“Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” tha ai, duke shtuar se përfitimet do të jenë jo vetëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë duke marrë parasysh reputacionin dhe rëndësinë që ka qyteti i Prizrenit për tërë rajonin edhe në këtë rast përafrimi me Komunën e Tetovës është një mundësi.

Më pas kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministrin Durmishi, dhe me deputetët e Lëvizjes VETËVENDSOJE!, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj vizituan lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti:

Unë sot bashkë me zëvendësministrin për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hysen Durmishi, erdhëm në Prizren dhe e falënderojmë kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, për këtë mikpritje të përzemërt.

Diskutuam për një sërë çështjesh. Diskutuam për dy memorandum bashkëpunimi që tashmë i kemi, Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë. Natyrisht që në qendër të diskutimit tonë ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë e kemi marrëveshjen e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021 dhe që ka një dakordim për opsionin nga studimi i fizibilitetit me tunel prej 6.4 kilometrave. Me ç’rast nga përafërsisht 15 kilometra në të dy hyrje daljet e tunelit të ardhshëm do të mund të lidhet Prizreni me Tetovën e Tetova me Prizrenin, si një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.

Gjithashtu kryetarin Totaj e njoftova se në javën që vjen do të dërgojmë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024. Së bashku do të shkojmë që të vizitojmë sa më afër që mundemi vendin ku do të jetë dalja e tunelit, në Struzhë, që më pastaj do të lidhet me rrugë deri tek pjesa jugore, juglindore e daljes së Prizrenit në autostradë, në Vlashnje, që përbën rrugën e cila e lidhë në të ardhmen Prizrenin me daljen e tunelit.

Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova.

Faleminderit edhe njëherë kryetar për këtë mikpritje dhe unë u zotova që do të punojmë bashkë për të mirën e përbashkët, si Qeveri me Komunën, si Kryeministër me Kryetarin e Komunës.

Related posts

Palestinë: Këtu janë disa nga zhvillimet kryesore të fundit

rezart morina

100 ditët e luftës së Izraelit: Më shumë se 100 gazetarë të vrarë

admin

Zonja e parë e Turqisë u bën thirrje homologëve të saj që të jenë zëri i Gazës “së shtypur dhe të heshtur”

admin6