Shefi i Komunikimit të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, ka dërguar një mesazh me rastin e 27-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ende është e freskët dhimbja e gjenocidit në Srebrenicë, një nga dëshmitë e turpshme të botës moderne. Türkiye vazhdon të qëndrojë me popullin boshnjak dhe ndërmerr të gjitha hapat për paqen dhe sigurinë e zonës gjeografike të Ballkanit. Le të pushojnë në paqe shpirtrat e dëshmorëve të Srebrenicës”, tha Altun, duke shpërndarë edhe një video për gjenocidin në Srebrenicë.
Në video, ai theksoi se në Srebrenicë është kryer masakra më brutale në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dhe se dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm u përpoqën që zëri i tyre të dëgjohet në Srebrenicë në korrik 1995.
Altun tha se, për fat të keq, apelet për ndalimin e gjenocidit në mes të Evropës, për të parandaluar avancimin e forcave serbe dhe që forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vendosin paqen në terren, nuk morën përgjigje.
Ai rikujtoi se gjatë luftës që shpërtheu pas shpërbërjes së Jugosllavisë, bandat raciste serbe dhe ushtarët çdo ditë shtuan dhunën dhe krimet, duke përfituar nga heshtja e opinionit ndërkombëtar dhe mungesa e sanksioneve.
Siç tha ai, për arsye sigurie, forcat paqeruajtëse të OKB-së mblodhën armët që ishin në duart e boshnjakëve, u dhanë atyre garanci se do t’i mbronin dhe kështu i lanë boshnjakët pa mundësi të mbroheshin nga gjenocidi.
“Me urdhër të liderëve racistë të asaj kohe, të cilët nuk treguan asnjë vlerë njerëzore, më 11 korrik, dhjetëra mijëra ushtarë hynë pa problem në Srebrenicën e çarmatosur dhe vranë 8.373 muslimanë boshnjakë për vetëm pesë ditë. Si rezultat i spastrimit etnik i bërë gjatë luftës në shumë qytete, thuajse nuk kishte mbetur asnjë boshnjak, disa u detyruan të arratiseshin dhe shumë u vranë”, tha Altun.
Altun shtoi se “Boshnjakët e burgosur në qindra kampe përqendrimi anembanë vendit u torturuan, përdhunuan dhe u vranë. Kjo masakër, shënjestër e së cilës ishin civilët e pafajshëm – gra, burra, fëmijë dhe të moshuar dhe që tregoi fytyrën e shëmtuar të racizmit në fillim të shekullit 21, megjithatë njëherësh vuri në dyshim përgjegjësinë e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht të Kombeve të Bashkuara, dhe përsëri vuri në axhendë nevojën për reforma të forta në strukturat e tyre”.
Në fund, ai tha se dhimbja dhe trishtimi i shkaktuar nga gjenocidi në Srebrenicë nuk do të shuhen kurrë.
“Edhe sot ndihet kjo dhimbje që ka shkaktuar ky gjenocid, kur në mes të Evropës u kryen shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit, të cilat zgjatën tre vjet e gjysmë me pandjeshmërinë e komunitetit ndërkombëtar. Türkiye do të jetë gjithmonë me popullin vëlla boshnjak dhe do të vazhdojë të ndërmarrë hapa diplomatikë në të gjitha platformat ndërkombëtare për të shmangur krime të ngjashme”, tha Altun.