Reagimi nga shefi i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë erdhi pas një shkrimi në agjencinë e lajmeve Reuters që vë në shënjestër institucionin të cilin e drejton ai
Shefi i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, ka reaguar ndaj një shkrimi në agjencinë e lajmeve Reuters, e cila ka vënë në shënjestër institucionin të cilin e drejton ai.
Në një seri postimesh në Twitter, Altun ka thënë: “Fakti që Drejtoria e Komunikimeve, e cila angazhohet në aktivitete të suksesshme brenda dhe jashtë vendit në përputhje me Modelin e Komunikimit të Turqisë, është shënjestruar nga agjencia e lajmeve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Reuters, është shenjë se ne jemi në rrugën e duhur dhe një simbol nder”.
“Gjatë katër viteve të fundit, ne kemi kundërshtuar fushatat e dezinformimit që vendosin në shënjestër Turqinë, kemi ndërtuar qëndrueshmërinë e kombit tonë ndaj përpjekjeve të tilla dhe kemi krijuar një atmosferë transparence. Ne jemi të përkushtuar t’i shërbejmë Turqisë nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan për shumë vite të tjera”, ka shtuar Altun.
Ai shkroi se kjo nuk është hera e parë që Reuters, të cilin ai e quajti “aparat i operacioneve të perceptimit dhe manipulimit sistematik kundër Recep Tayyip Erdoğan-it dhe Turqisë”, publikon lajme mashtruese dhe të rreme.
Altun ka nënvizuar se kjo agjenci kishte përhapur dezinformata kundër Turqisë edhe në kulmin e fushatës terroriste të DEASH-it, ndërkohë që Turqia “e godiste pa mëshirë atë organizatë”.
“Në të vërtetë, kjo ishte një përpjekje për të mbuluar faktin se disa qeveri perëndimore mbyllën sytë ose, me ndihmën e shërbimeve të tyre të inteligjencës, lehtësuan në mënyrë aktive fluksin e luftëtarëve të huaj terroristë në Siri”, ka thënë shefi i Komunikimeve.
“Reuters gjithashtu shtrembëroi deklaratat e bëra nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan kur Turqia po ndërmerrte hapa paraprakë drejt miratimit të sistemit presidencial të qeverisjes – (gabim) të cilin ata përfunduan duke e detyruar ta korrigjojnë”, ka thënë më tej ai, duke shtuar se ky medium ka luajtur rol “si pjesë e operacioneve ekonomike dhe financiare” kundër Turqisë.
“E tillë është kjo agjenci e lajmeve që përpiqet të sulmojë Modelin e Komunikimit të Turqisë dhe Drejtorinë (e Komunikimeve) sot. Ne i dimë shumë mirë qëllimet e Reuters-it, qëllimin të cilit i shërben dhe çfarë po bën për këtë qëllim”, theksoi Altun.
Ai tha se vendi i tij mbron të vërtetën nga një sistem i karakterizuar me okupime, grushte ushtarake dhe luftëra civile dhe që ushqen organizatat terroriste – “të gjitha falë raportimeve tuaja operacionale” – jo vetëm në Turqi, por edhe në pjesë të ndryshme të botës.
“Ne e kuptojmë se kriza ekonomike në Evropë dëmton organizatën tuaj së bashku me Mbretërinë e Bashkuar. Duket se ju keni vendosur të raportoni nga prapa tryezave tuaja sepse është më lirë dhe më lehtë”, thuhet në reagim.
Kështu, ka thënë Altun, Reuters shpif skenarë imagjinarë dhe të sajuar, të mbushur me paragjykime dhe klishe të pabaza, “siç keni bërë shumë herë më parë”.
Ai përfundoi reagimin e tij duke thënë: “Ju rikujtojmë edhe një herë se kjo nuk është mënyra e angazhimit në gazetari të vërtetë, pavarësisht rrethanave, dhe ju ftojmë që të raportoni vetëm faktet”. /trt