Nën kujdesin e Ambasadës turke në Tiranë është organizuar ceremonia përkujtimore për përvjetorin e shtatë të tentativës për grusht shteti në Turqi, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar tek Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ishin të pranishëm Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit “Yunus-Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë turq dhe qytetarë shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori Atay tha se tentativa për grusht shteti dështoi dhe u shpartallua falë qëndresës së popullit turk, policisë dhe ushtrisë, por ajo u kushtoi jetën 252 dëshmorëve dhe gjakun e mijëra veteranëve dhe qëndrestarëve.
Ai shtoi se sot përkujtojnë të gjithë dëshmorët me lutje dhe mirënjohje të thellë, që sakrifikuan jetën e tyre duke i rezistuar kësaj tentative për grusht shteti.
“Në shtatë vitet që kanë kaluar nga tentativa e dështuar për grusht shteti, si rezultat i gjyqeve të zhvilluara në vendin tonë, është vërtetuar se pas kësaj tentative të dështuar për grusht shteti qëndron kreu i grupit, Fetullah Gülen, rezident në SHBA, së bashku me pasuesit e tij që vepruan me urdhrat e tij”, tha ambasadori turk.
Ambasadori Atay theksoi se me gjitha përpjekjet e shtetit turk, organizatës FETO iu është thyer shtylla kurrizore në Turqi dhe shtoi se lufta kundër këtij rrjeti vazhdon edhe jashtë vendit.
“Fatkeqësisht, Shqipëria mike dhe vëllazërore, e cila u solidarizua me popullim turk në natën e grushtit të shtetit, ende nuk i ka dhënë fund ekzistencës së strukturës së FETO-s në Shqipëri, kryesisht strukturave të tyre në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. Ne vazhdojmë të shpjegojmë taktikat tinëzare dhe tradhtare të FETO-s, në mënyrë që Shqipëria të mos përjetojë ato përvoja të hidhura që përjetoi vendi ynë. Ne e dimë gjithashtu se ka organizata shtetërore dhe ndërkombëtare të cilat u ushtrojnë presion vëllezërve tanë shqiptarë që ky rrjet tinëzar të vazhdojë aktivitetin e tij në Shqipëri”, tha Atay.
Ambasadori Atay shtoi më tej se “Si Turqi ne do të vazhdojmë të zbulojmë fytyrën e vërtetë të FETO-s dhe të shpjegojmë sesi ajo përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit ku ndodhet. Shpresoj që ndërgjegjësimi për anët e errëta të FETO-s në publikun shqiptar të rritet dita-ditës”.
Ambasadori turk theksoi se i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar prezent në Tiranë që të heqin dorë nga përpjekjet për të mbrojtur dhe mbështetur strukturën fetare, shkollat, spitalet, kompanitë e bizneset e këtij rrjeti tinëzar, dhe të ndalojnë presionin ndaj autoritareve shqiptare pikërisht për këtë qëllim.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, i cili tha se FETO demaskoi përgjithmonë veten. Ai theksoi se me gjakun e qindra dëshmorëve, me sakrificën e mijëra të tjerëve, me guximin dhe vendosmërinë e një populli të tërë, u ruajt ardhmëria e Turqisë.
“Pika e kthesës atë natë të zezë ishte thirrja nëpërmjet televizionit e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për popullin turk, për të dalë në rrugë e sheshe dhe për t’iu kundërvënë puçistëve. Dështimi i atij puçi qe një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët të cilët tek Turqia shohin vendin vëlla dhe partnerin strategjik. Ata vuajtën siç vuajtën turqit, u gëzuan siç u gëzuan turqit kur makthi mbaroi dhe dielli lindi përsëri. Një Turqi e qëndrueshme dhe e begatë është siguri për shqiptarët në Ballkan”, u shpreh Gurra.
Nga këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz, u bënë lutje për dëshmorët, ndërkohë u lexua edhe Kur’an-i Kerim.
Nën kujdesin e Ambasadës turke, u ekspozuan edhe fotografi gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti në Turqi.