Një anije eksperimentale kozmike e Kinës është kthyer në Tokë më 8 maj, pasi qëndroi në orbitë për 276 ditë, raportoi media shtetërore kineze. Kthimi i kësaj anijeje u bë pas përfundimit të një misioni të rëndësishëm, që synonte të testonte teknologjinë e ripërdorshme hapësinore të Kinës.
Kjo fluturake pa ekuipazh u rikthye në qendrën e lëshimit të anijeve në Xhiuquan në veriperëndim të Kinës, ashtu siç ishte paraparë, raportoi media shtetërore kineze.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë detaj se për çfarë anije kozmike bëhet fjalë, çfarë teknologjie është testuar, sa lartë ka fluturuar dhe në çfarë trajektore ka fluturuar anija që kur u lëshua në hapësirë në gusht të vitit të kaluar.
Ky testim shënon një arritje “të rëndësishme” për teknologjinë e ripërdorshme të anijeve kozmike të Kinës, që do të ofrojë një mënyrë më të lirë dhe më të përshtatshme për përgatitjen e misioneve të reja hapësinore, raportoi media shtetërore kineze.
Më 2021, një anije e ngjashme kozmike kishte fluturuar në hapësirë dhe ishte kthyer në Tokë në po të njëjtën ditë, por edhe atëbotë autoritetet kineze nuk dhanë detaje të misionit.
Komentatorët në rrjetet sociale kineze kanë spekuluar se Pekini po zhvillon një anije kozmike sikurse modeli amerikan X-37B, një avion i pavarur hapësinor që mund të qëndrojë në orbitë për vite të tëra.
Një anije e tillë amerikane u kthye në Tokë nëntorin e vitit të kaluar, pasi kishte qëndruar në orbitë për më shumë se 900 ditë. /rel