RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Anulimi i vendimit që ndalon importin e mallrave serbe, “kusht” shtesë për heqjen e masave të BE-së

anulimi-i-vendimit-qe-ndalon-importin-e-mallrave-serbe,-“kusht”-shtese-per-heqjen-e-masave-te-be-se

Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se është respektuar dakordimi i arritur në Bratisllavë për shtensionimin e situatës në veri. Por, Bashkimi Evropian, zëdhënësi i së cilës e ka akuzuar Kosovën për sjellje joevropiane, ka kërkuar të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që të plotësohen kushtet për heqjen e masave ndëshkuese. Anulimi i vendimit për importin e mallrave serbe pohohet të jetë njëri nga kushtet që duhet plotësuar Qeveria.

Qeveria e Kosovës është e bindur se veprimet e ndërmarra për shtensionimin e situatës në veri janë të mjaftueshme për të hequr masat ndëshkuese të vendosura nga BE-ja.

Në përgjigje të kritikave të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili sjelljen e Kosovës e ka cilësuar joevropiane, ekzekutivi ka përmendur progresin në zbatimin e marrëveshjes së Bratislavës, përfshirë përgatitjet për zgjedhjet në katër komunat e veriut.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se masat e vendosura kanë qenë të padrejta.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi, ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për depërshkallëzim të situatës në katër komunat në veri. Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale. Si rezultat i zbatimit të pikës së dytë, e cila parasheh vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë, javën e kaluar numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale është ulur edhe për 25% tjera. Ndërkaq në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, ne tashmë kemi themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme. Pra, Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Se për çfarë punësh të tjera bëhet fjalë besojmë që më së miri është të pyetet BE-ja. Së bashku me pyetjen se çfarë ka bërë Serbia për depërshkallëzimin e situatës nga çka i është kërkuar fillimisht nga vetë BE-ja. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brastislavës, por edhe pas përmirësimit të situatës në terren”, ka deklaruar Kryeziu.

Në anën tjetër, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se ndaj Kosovës është duke u kërkuar anulimi i vendimit për importimin e mallrave serbe.

Në një përgjigje për REL-in, Rashiq ka thënë se Qeveria pret nga BE-ja të largojë masat e vendosura ndaj saj e më pas të bëjë lëvizje në drejtim të anulimit të vendimit.

“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë (heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës), nuk mund t’ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tonë”, ka theksuar Rashiq.

Dakordimi me Bashkimin Evropian për veprimet që çojnë në shtensionimin e situatës është arritur në Bratislavë më 10 korrik, në takimin që zv.kryeministri Besnik Bislimi ka zhvilluar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Related posts

“Asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali”, Putini u thotë nënave të ushtarëve rusë

admin

“SHBA do t’i paraqesë Izraelit alternativa të ndryshme në vend të sulmit tokësor në Rafah”

rezart morina

Mbyllet protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës me molotov dhe përplasje me policinë

RTI