RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Kaçanik

apeli-verteton-aktgjykimin-lirues-ndaj-dy-te-akuzuarve-per-vrasjen-e-trefishte-ne-kacanik

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin më 7 qershor 2023 Afet dhe Agron Dalloshi ishin liruar nga akuza se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona në Kaçanik dhe se e kishin lënduar një tjetër.

Vendimi i Apelit është marrë më 18 tetor 2023, me të cilin është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa është hudhur si e palejuar ankesa e palës së dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“II.REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.628/2014, i datës 07.06.2023, VËRTETOHET. II. HUDHET si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar A.B.a av. J.M. e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, …., i datës 07.06.2023” thuhet në vendimin e Apelit.

Fillimisht, kundër vendimit të Themelores për lirimin e Afet dhe Agron Dalloshit nga akuza, ankesë ka parashtruar PSRK, duke propozuar që për shkak të shkeljeve ligjore, çështja të kthehet në rigjykim.

Gjithashtu, edhe pala e dëmtuar ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores, duke i propozuar Apelit që vendimin e Themelores ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ndaj ankesës së PSRK-së dhe palës së dëmtuar, kanë paraqitur përgjigje mbrojtësja e të akuzuarit Afet Dalloshit, avokatja Kosovare Kelmendi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Dalloshi, avokati Ahmet Ahmeti, duke i propozuar Apelit që të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

Andaj, Apeli në gjetjet e tyre ka theksuar se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të PSRK-së dhe palës së dëmtuar, të cilat pretendime do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimi të ankimuar.

Sipas shkallës së dytë, dispozitivi i aktgjykimit të Themelores është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij dhe se është i qartë dhe konkret, duke përmbajtur kështu të gjitha arsyet e duhura mbi faktet relevante të çështjes penale në fjalë.

Tutje, Apeli ka sqaruar se Themelorja drejt ka vërtetuar se nga dispozitivi i akuzës nuk rezulton të jenë të përfshira faktet vendimtare që do të përbënin elemente e veprës penale, me të cilën janë akuzuar Afet dhe Agron Dalloshi.

Prandaj sipas Apelit, Themelorja ka bërë analizimin e të gjitha provave të proceduara në këtë çështje penale gjatë shqyrtimi gjyqësor dhe ka ardhur në konkludime të drejta, objektive dhe të ligjshme.

Në vendim, Apeli ka theksuar se nga dëshmia e dëshmitarëve M.B., H.B., I.B., B.B., A.B. dhe V.B përveç fjalëve që ata kanë dëgjuar nga të tjerët për rrethanat e sulmit të mundshëm me armë ndaj të afërmve të tyre, në fund është vërtetuar se të njëjtit nuk kishin asnjë të keqe me të akuzuarit.

Pretendimet e PSRK-së se të akuzuarit kishin bartur me makinë dy të armatosur, Apeli thotë se nuk bazohen në asnjë provë-dëshmi, por kjo rrethanë është përshkruar ashtu siç Prokuroria e ka menduar pa mbështetje në prova.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, dëshmia e dëshmitari R.T është vlerësuar si shmangie nga thëniet e tij pas ngjarjes kur e ka pasur kujtesën më të freskët dhe se ndryshimi i deklaratës nga R.T sipas Apelit është bërë pas takimit të tij me familjarët e të dënuarve Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.

Tutje, sipas Apelit të dënuarit Hasani dhe Qerimi vazhdimisht kanë bërë përpjekje për ndryshimin e rrethanave dhe versionit të ngjarjes së ndodhur, duke kontaktuar dëshmitarë dhe njërin nga të akuzuarit Dalloshi, saqë njëri nga ta ishte dërguar në burgun e Dubravës për t’u takuar me Hasanin.

Apeli, po ashtu konstatoi se nuk mund të llogaritet se janë provuar veprimet e të akuzuarve Dalloshi vetëm për faktin se dy të dënuarit Hasani dhe Qerimi kishin realizuar takime në burgun e Dubravës me të dëmtuarit, vetëm që të ndriçohet rasti.

Po ashtu, Apeli ka sqaruar se edhe sa i përket pretendimeve të PSRK-së për shkelje të Ligjit Penal, Themelorja ka ofruar prova të mjaftueshme me të cilat konsiderohet se në veprimet e të akuzuarve nuk qëndrojnë elementet esenciale të veprës penale për të cilën akuzohen.

Ndërkaq sa i përket ankesë së të dëmtuarit, Apeli të njëjtën e ka hedhur poshtë me arsyetimin se pala e dëmtuar mund të parashtrojë ankesë vetëm për sanksionin penal kur të akuzuarit shpallen fajtorë e që në rastin konkret të akuzuarit janë liruar, andaj ankesa e palës së dëmtuar nuk lejohet.

Ndryshe, me aktgjykimin e 7 qershorit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave i liroi nga akuza të akuzuarit Afet dhe Agron Dalloshi.

Related posts

Votimi në veri, Qeveria i kërkon BE-së largimin e masave sanksionuese

RTI

Shefi i NATO-s: SHBA-ja duhet të sigurojë që Ukraina të fitojë nëse dëshiron të merret me Kinën

admin

Rusia e gatshme të pranojë kritikat e luftës në deklaratën e G20

admin