Sot, rreth orës 12:00, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një telefonatë nga një qytetar, i cili ka raportuar se në marketin e tij, në fshatin Slivovë të Ferizajt, kishte ndodhur një grabitje.
Siç bën të ditur Policia e Kosovës, sipas ankuesit, një person mashkull, rreth 30 vjeç, i veshur me rroba të zeza, me syze dhe me shall të vendosur mbi fytyrë deri mbi hundë, kishte hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e një arme të gjatë kishte marrë paratë nga arka, për t’u larguar më pas në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.
“Njësitet reaguese dhe ato të hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas veprimeve intensive hetimore në terren, rreth orës 12:30 kanë arrestuar një person të dyshuar, B.T. (28 vjeç)”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë.
“Rreth orës 12:50 është konfiskuar një armë e gjatë automatike e tipit AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale. Në vazhdim të hetimeve janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë rast: R.H. (38 vjeç) dhe V.S. (28 vjeç)”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit për krime të rënda, i cili ka autorizuar hetuesit policorë për vazhdimin e hetimeve dhe intervistimin e të dyshuarve.
“Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në fund të njoftimit.

